Dosja e Erion Isait/ U falsifikua firma për projektin e rrugës Korçë-Ersekë (Loti II)

Dosja e Erion Isait/ U falsifikua firma për projektin e rrugës Korçë-Ersekë (Loti II)

15:07, 26/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Syri.Net siguron dosjen hetimore ndaj kryebashkiakut socialist të Kolonjës Erion Isai i cili u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme së bashku me 6 zyrtarë të tjerë për shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentash e shpërdorim detyre. SPAK po e heton Isain për 4 tendera abuziv. 

Një prej tyre lidhet me projektin për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2 (Pjesa e parë), me Nr.REF-69427-08-21-2020.

Në qendër të skandalit ndodhet kompania A & E Engineering, me administratore Entela Çano e cila dyshohet se kishte lidhje të afërta me kryebashkiakun Isai. Sipas dosjes së SPAK-ut, kjo kompani jo vetëm që hartoi projektin për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë (Loti II), por dhe falsifikoi firmën si dhe mbikëqyri vetë punimet, duke krijuar një konflikt të pastër interesi.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ish-DPRR, sot ARRSH) kishte hartuar një projekt paraprak për këtë rrugë, që përfshinte ndryshime të mëdha strukturore dhe ndërtimin e 5 urave. Por, Bashkia Kolonjë nisi një procedurë të re për hartimin e projektit, duke pretenduar mungesë burimesh teknike dhe financiare. Procedura u realizua në formën e një donacioni, dhe vetëm A & E Engineering pranoi të ofrojë shërbimin, duke nënshkruar kontratën më 3 prill 2020.

Pas dorëzimit të projektit më 1 qershor 2020, u krijua një komision për marrjen në dorëzim të tij, i ngritur me urdhër të kryebashkiakut Isai. Në procesverbalin e dorëzimit, figuronte si kryetar i komisionit Muharrem Tartari. Megjithatë, ekspertiza grafike e SPAK zbuloi se firma e Tartarit ishte falsifikuar dhe ai nuk kishte qenë asnjëherë i pranishëm.

Nga aktet e administruara rezulton se anëtarët e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit të projektit, shtetasit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me shtetasen Entela Çano, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit, me objekt: "Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2”, datë 01.06.2020, duke përshkruar rrethana të rreme në përmbajtje për personat pjesëmarrës në këtë veprim, duke e paraqitur si të pranishëm edhe kryetarin e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit, shtetasin Muharrem Tartari, por që në të vërtetë rezulton se nuk ka marrë pjesë shtetasi Muharrem Tartari, się provohet nga deklarimi i tij dhe nga akti i ekspertimit grafik të shkrimit dhe nënshkrimit në këtë procesverbal në emër të tij, që rezulton të jetë i falsifikuar. Mbi këtë bazë me datë 03.05.2025 i është njoftuar akuza të pandehurit Engjëll Dina për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal.' thuhet ne dosje. 

SPAK akuzon Erjon Cenkon dhe Engjëll Dinen anëtarë të komisionit, si bashkëpunëtorë në falsifikimin e dokumentit, në bashkëpunim me administratoren e kompanisë, Entela Çano. Kjo ka çuar në ngritjen e akuzës për falsifikim ndaj Engjëll Dinës. 

Projekti i rrugës iu dërgua për miratim ARRSH-së më 12 qershor 2020 nga nënkryetarja e Bashkisë, E.M. Ndërkohë, A & E Engineering rezulton si mbikëqyrëse e shumë projekteve të tjera publike në zonë, të cilat shpesh janë fituar nga të njëjtat kompani ndërtuese, duke ngritur dyshime për një strukturë të organizuar dhe favorizime sistematike në tenderë.

Në dosjen e SPAK përfshihen gjithashtu biseda të zbuluara nga celularët e sekuestruar, ku janë dokumentuar komunikime mes E.Ç. dhe Isait, që sipas prokurorisë, tregojnë lidhje të ngushta dhe bashkërendim në vendimmarrje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco