Një megaoperacion antidrogë ka ndodhur pak pas mesnatës duke u gdhirë 8 shtatori në Qarkun e Elbasanit.
Bëhet fjalë për 30 masa sigurie të ekzekutuara nga 39 në total të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan.
Bëhet fjalë për shpërndarës të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme, jo eksponentë të njohur të krimit në vend. Të akuzuarit vepronin të organizuar në grupe të vogla, por edhe vetëm. Ata shpërndanin lëndët narkotike pranë shkollave, lokaleve e më gjerë.
Megaoperacioni erdhi pas një viti hetime dhe përgjime nga policia dhe prokuroria e Elbasanit. Po ashtu, policë të infiltruar kanë blerë drogë te disa prej të akuzuarve, gjatë periudhës së hetimeve.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar nga policia të paktën 3 armë zjarri kallashnikovë, pistoleta, dhe sasi të konsiderueshme drogërash të ndryshme.
Aksioni i befasishëm për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike është zhvilluar në qytetet Prrenjas, Librazhd, Gramsh, Peqin, Cerrik, Belsh dhe Elbasan.
© SYRI.net