Syri TV/ Pasojat e zjarrit në Gramsh e Delvinë, mes skamjes dhe traumës që lanë pas flakët

14:35, 14/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas 4 ditësh në luftë me flakët e zjarrit dhe një situate tepër të vështirë për banorët e fshatrave të Gramshit, situata është vënë nën kontroll dhe rrugët tashmë janë të hapura. 

Banorët kanë nisur të rikthehen në zonat e prekura, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga zjarret. Përveç një viktime, zjarri në fshatrat e Gramshit ka lënë pas një territor mjaft të gjerë të shkrumbuar, ku ajo që dominon është ngjyra e zezë dhe hiri i mbetur nga djegiet masive të gjithçkaje që flakët gjetën përpara.

Sipas të dhënave zyrtare, 42 banesa janë djegur plotësisht në fshatin Skënderbegas dhe në disa fshatra përreth. Dëme janë raportuar edhe në blegtori dhe bujqësi, ku janë djegur 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, një thundrak, 80 koshere bletësh dhe një numër i konsiderueshëm shpendësh. 

Autoritetet kanë nisur groposjen e kafshëve të ngordhura, në përpjekje për të shmangur ndonjë shpërthim të mundshëm epidemie, ndërsa shërbimi veterinar po kryen procesverbalet përkatëse për secilin rast.

Numri i personave të evakuuar ka shkuar në 46, pasi nje dite me parë u akomoduan edhe 6 persona të tjerë në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve më herët. Gjendja emocionale dhe sociale e banorëve të prekur mbetet e rënduar, ndërsa shumë prej tyre janë përballur me humbje të mëdha material dhe financiare. Ndërsa situata është stabilizuar, sfida më e madhe për qindra familje në këto fshatra është rikthimi i jetesës normale, tashmë mes skamjes totale dhe traumës që lanë pas flakët e zjarrit, që u mori atyre gjithçka kishin ndërtuar me mund dhe djers prej vitesh

Ndërkohë edhe Delvina u përball me një  situate dramatike të krijuar nga zjarret ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme. Qyteti, i vendosur në mes të një lugine, u rrethua nga zjarret që u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë banesa, pyje dhe kullota. Pamjet nga vendngjarja tregojnë qartë përmasat e katastrofës, me gjithçka të shkrumbuar dhe tym që mbuloi horizontin.

Banorët janë përballur me momente paniku, ndërsa disa familje janë evakuuar përkohësisht për shkak të rrezikut. Disa banesa kanë pësuar dëmtime, ndërkohë që bagëtitë dhe blegtoria janë në rrezik, duke lënë shumë banorë të pasigurt për të ardhmen e pronës dhe jetesës së tyre.
Gjithashtu, një kishë në një nga fshatrat e Delvinës është shkrumbuar nga flakët, ku trerët e saj kanë rënë në dysheme dhe nuk është arritur dot që të shpëtohet. Autoritetet lokale dhe qëndrore kanë reaguar me vonesë, ndërsa deri tani nuk janë parë grupe në terren për vlerësimin e dëmeve apo për ndihmë të organizuar.

Fatmirësisht, nuk raportohet për humbje jete, por disa efektivë policie dhe zjarrfikës janë trajtuar për asfiksim nga tymi. Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje ka publikuar të dhënat zyrtare për pasojat e zjarreve në vendin tonë. Sipas këtij sistemi janë djegur mbi 50 mijë hektarë tokë që nga janari deri në gusht të vitit 2025, duke tejkaluar sipërfaqen e djegur vitin e kaluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco