Nga Syri Tv
Tre persona janë arrestuar një është shpallur në kërkim në lidhje me plagosjen që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Tiranë. Në pranga janë vënë Bekim Nikolli, Alfred Lleshi të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje dhe Ibrahim Kupa për moskallëzim krimi. Ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim. Ndërkohë në Fier dy të rinj janë konfliktuar me thika dhe kanë mbetur të plagosur, një ngjarje e cila ka ndodhur për motive banale.
Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e së premtes kur mbeti i plagosur Renato Çadra, 27 vjeç. Në pranga në lidhje me këtë ngjarje janë vënë Bekim Nikolli, Alfred Lleshi dhe Ibrahim Kupa ndërkohë një person tjetër është shpallur në kërkim.
Nga hetimet ka rezultuar se Bekim Nikolli, Alfred Lleshi dhe një person tjetër kanë plagosur me armë zjarri 27-vjeçarin Çadra.
Ata akuzohen për ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit’.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e ‘Treshit’. 4 personat fillimisht kanë goditur me sende te forta Renato Çadrën dhe më pas e kanë qëlluar me armë duke u plagosur në këmbë. 27-vjeçari është paraqitur vetë në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ai ka deklaruar para policisë se ka qenë përballë shkollës 'Gjergj Fishta' kur 4 persona kanë zbritur e kanë dhunuar me sende të forta dhe më pas e kanë plagosur me armë në këmbë.
Për moskallëzim krimi është arrestuar Ibrahim Kupa i cili ka qenë në vendin ngjarjes dhe nuk ka folur për uniformat blu. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti me të cilin autorët kanë lëvizur si dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Ndërkohë dy të rinj janë konfliktuar me thika në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 11 janari. Loni Seitaj dhe Albion Maçi fillimisht janë konfliktuar verbalisht më pas dhe fizikisht duke përdorur dhe mjetet prerëse.
Ata janë dërguar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Konflikti ka ndodhur për motive banale. Albion Maçi ka qenë duke ecur me makinë ndërkohë që Loni Seitaj po kalonte tek vijat e bardha më të vëllain.
Seitaj i është kthyer Maçit duke i thënë kujdes se na shtype dhe në këtë moment 28-vjeçari ka dalë nga makina duke u konfliktuar fizikisht dhe mër pas kanë përdorur mjetet prerëse. Loni Seitaj ka dëmtime në dorë ndërkohë që Albion Maçi në bark.
© SYRI.net