Shtëpi bari në Fier, arrestohet pronari e punonjësi i OSHEE-së, 'nuk pa' lidhjen e paligjshme të energjisë

09:26, 26/05/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një shtëpi bari është zbuluar në fshatin Vadhizë të Fierit. Në pranga kanë rënë pronari i banesës dhe punonjësi i OSHEE, Isa Gashi dhe Ramis Malaj.

Banesa ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet llambave.

Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Gjatë operacionit u arrestua autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, Isa Gashi 63 vjeç, banues në Vadhizë, i cili kultivonte bimët në ambientet e banesës së tij. 

Në vijim të veprimeve hetimore, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi Ramis Malaj, 61 vjeç, banues në Patos, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike, informoi sot policia e Fierit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 41 bimë narkotike Cannabis Sativa, 57 fidanë Cannabisi,  një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 784 fara kanabisi, 5 panele elektrike, 8 llamba për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra, 3 ventilatorë freskues, 2 aspirator dhe 18 pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.

Operacioni policor i koduar 'Led'  u mor nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco