SYRI TV/ Abuzim me tendera, zyrtarët e UKT në GJKKO

13:53, 09/05/2024
A+ Aa A-

SPAK ka mbyllur hetimet pas katër vitesh për zyrtarët e UKT dhe për një biznesmen të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe për falsifikim. Tre zyrtarët UKT Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja kanë favorizuar biznesmenin Bledar Shemaj për të fituar një tender prej afro 144 milionë lekë.

Syri tv

Tre zyrtarë të Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë dhe një biznesmen janë dërguar për gjykim, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet paraprake ndaj tyre. Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, akuzohen për shkelje të barazisë në tendera publik, procedim i cili është regjistruar në vitin 2020. Ndërsa Bledar Shemaj, akuzohet për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Falsifikim i vulave”.

Nga hetimet e kryera rezulton se, të pandehurit Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, punonjës të shoqërisë tregtare “Ujësjellës Kanalizime” sh.a., dega Tiranë, kanë marrë pjesë si anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave dhe më pas, si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në procedurat për prokurimin me objekt “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a”, me vlerë rreth 144 milionë lekë të reja.

Ata akuzohen se gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave kanë ndryshuar njërin nga specifikimet, që kishte të bënte me figurimin në listë pagesa të një punonjësi manovrator të mjeteve të rënda, për qëllime të favorizimit të shoqërisë “ë Center” sh.p.k, me ortak e administrator të pandehurin Bledar Shemaj. Më pas gjatë vlerësimit të ofertave e kanë kualifikuar këtë shoqëri pavarësisht se nuk përmbushte njërin nga specifikimet e kërkuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco