SYRI TV/ Gjenden 2 trupat e fundit të familjes Arrazi

15:31, 07/05/2024
A+ Aa A-

Këtë të martë janë gjetur edhe dy trupat e fundit në ujërat e Lumit Buna në Shkodër. Pas kërkimeve në terren, policia, forcat e ushtrisë, RENEA-s dhe emergjencave civile mbyllën operacionin e kërkimit me gjetjen e Alma Arrazit, nënës që u vetëflijua bashkë me 3 fëmijët e mitur. Disa ora para saj, u gjet edhe djali 3 vjeçar. Ndërkohë, në Gjykatën e Shkodrës Ergys Arrazi, babai i fëmijëve të flijuar, u njoh me masën e sigurisë për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes.

SYRI TV

Të gjitha kufomat e 4 anëtarëve të familjes së vetëflijuar në Shkodër janë gjetur në ujërat e lumit Buna. Këtë të martë në mesditë u bë e mundur gjetja e trupit të 39-vjeçares Alma Arrazi në fshatin Pentar të njësisë Dajç, ndërsa paradite u gjet djali i saj 3 vjeçar në afërsi të fshatit Oblikë të njësisë Ana e Malit. Të hënën në afërsi të urës së Bunës u gjet vajza 8 vjeçare e çiftit Alma e Erdgys Arrazi, ndërkohë 3 ditë më parë, Ergesa vajza 9-vjeçare ishte e para që u gjet nga një peshkatar në Darragjat. Në operacionet e kërkimit u angazhuan forcat RENEA, ato të emergjencave civile, ushtrisë dhe policisë por edhe shumë banorë të zonës. Alma Arrazi sipas policisë është hedhur se bashku me tre fëmijët e saj në lumin Buna dhe ka gjetur vdekjen.

Dyshohet se shkak për këtë tragjedi është bërë dhuna e vazhdueshme e bashkëshortit të saj, Erdgys Arrazi, por gjithashtu edhe lidhja jashtëmartesore e 31 vjecarit me një vajzë tjetër. Policia ka arrestuar për shtyrje në vetëvrasje Erdgys Arrazin i cili këtë të martë doli para Gjykatës së Shkodrës. Togat e zeza e lanë në masën arrest në burg të riun, pavarësisht se ky i fundit ka mohuar akuzën duke mos pranuar të ketë ushtruar dhunë ndaj të shoqes. Avokati mbrojtës ka paraqitur një shkresë ku sipas tij vërtetohet se Alma Arrazi kishte probleme të shëndetit mendor.

Ndryshe pretenduan familjarët e të ndjerës që thonin se Erdgysi e dhunonte në të gjitha format bashkëshorten, madje e tradhtonte hapur me një vajzë tjetër. Arrazi kishte kërkuar leje nga organet ligjzbatuese në Shkodër për të marrë pjesë në homazhet për të bijën 9 vjeçe që u gjet e para në ujërat e lumit Buna, dhe vëllai i tij tha se prokuroria e aprovoi kërkesën, por nuk u lejua nga policia.

Në banesën e familjes Arrazi janë hapur dyert e mortit, ku pas përcjelljes për në banesën e fundit të 9 vjeçares Ergesa, tashmë janë edhe 3 viktima të tjera, motra dhe vëllai 8 dhe 4 vjeç si dhe nëna e tyre Alma 39- vjeçe  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco