Në burgun e Peqinit u vra Arben Lleshi, akt-ekspertizë për pretendimet e familjarëve

18:08, 26/04/2024
A+ Aa A-

5 muaj pas ekzekutimit të tij në burgun e Peqinit, provohet shkencërisht se viktima është Arben Lleshi.

Polemikat u hapën nga familjarët që refuzuan të tërheqin trupin, me dyshimet se nuk bëhet fjalë për të afërmin e tyre. Prokuroria urdhëroi krahasimin genetik me të familjarëve dhe u provua tej çdo dyshimi se viktima është Arben Lleshi, i dënuar përjetë për vrasje. Për konkluzionet e akt-ekspertizës janë vënë në dijeni familjarët

Prokuroria e Elbasanit ka arritur të provojë në mënyrë shkencore se personi i vrarë më 15 dhjetor të vitit të kaluar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin është Arben Lleshi.

Trupi i tij ndodhet ende në morg, për të cilin Prokuroria dhe IML u detyruan të bëjnë akt-ekspertim për shkak të pretendimeve të familjarëve. Ata nuk u paraqiten për muaj me radhë për të tërhequr trupin, dhe ngritën pretendimin se kishin dyshime të mos bëhej fjalë për të afërmin e tyre. Verifikimi është bërë përmes gjurmëve të gishtërinjve, dhe pas kësaj Prokuroria e Elbasanit i ka nisur rezultatet IML-së.

Burime nga Mjekësia Ligjore konfirmojnë marrjen e konkluzioneve, teksa janë njoftuar familjarët dhe do të pritet përgjigjja e tyre. Nëse rezulton se ata refuzojnë sërish për tërheqjen e trupit, do të vendoset brenda një afati të disa javor që ti kërkohet Bashkisë së Matit diçka e tillë.

Për testin e AND-së janë marrë analizat e motrës së viktimës dhe të këtij të fundit, për të dalë në një konkluzion. Më herët mos përgjigja e familjarëve ishte parë si hezitim për shkak të frikës nga hakmarrja, duke qenë se i afërmi i tyre ishte dënuar përjetë për vrasje.

Ngjarja në fjalë daton në vitin 2012 kur vritet dhe më pas digjet trupi i Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe, ngjarje për të cilën faji iu ngarkua Arben Lleshit dhe të vëllait Afrimit.

Pas kësaj, familja Lleshi humbi katër pjesëtarë mes të cilëve të vrarë e të zhdukur. Ekzekutimi i Arben Lleshit brenda burgut të Peqinit nga Sokol Mjacaj, tjetër i dënuar përjetë, u dyshua si vijim i sagës së hakmarrjes.

Prokuroria dyshon se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, por ende nuk ka mundur të identifikojë porositësit, teksa autori i krimit ka kyçur gojën duke vështirësuar zbulimin e shkakut dhe personave të interesuar për eliminimin e të dënuarit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco