RAPORTI/ Krimi i organizuar pagoi për transferimin e Anton Martinit

RAPORTI/ Krimi i organizuar pagoi për transferimin e Anton Martinit

11:01, 02/12/2023
A+ Aa A-

Një raport kofidencial i hartuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, hedh dritë mbi një seri bisedash të përgjuara, të cilat tregojnë një realitet lemeritës të kapjes së gjyqësorit dhe prokurorisë nga krimi i organizuar.

Prokurorë dhe gjyqtarë që takojnë kafeneve të Tiranës, kapot e trafikut të drogës nga Turqia në Shqipëri dhe që përfshihen në afera korruptive, me emra të njohur të botës së krimit, si Jurgen Molla dhe jo vetëm.

“Ora News” prej kohësh ka siguruar një dosje me shumë faqe që tregon përmes bisedave të përgjuara se si anëtarë të krimit të organizuar që drejtonin trafikun e heroinës, kishin paguar dhe influencuar deri në rangjet më të larta të Prokurorisë së Përgjithshme, transferimin nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Shkodrës, të prokurorit Anton Martini.

Dhe njëherësh në dosjen voluminoze tregohet një realitet tjetër se si një prokuror i Tiranës, që pak kohë më parë kaloi dhe “vetingun” përfshihet në një aferë korruptive me bosin e heroinës për lirimin e një personazhi të arrestuar për llogari të drejtësisë Italiane.

Për të dyja rastet kriminale, raporti konfidencial i oficerëve të Drejtorisë së Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, sugjeron vazhdimin e verifikimeve dhe ndjekjen e hetimit për akuzën e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit dhe prokurorit” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Por çuditërisht hetimet për këto dy vepra penale nuk janë vijuar si nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ashtu dhe nga Prokuroria e Tiranës.

Në këtë raport konfidencial tregohen tratativa korruptive dhe pagesa për transferimin e prokurorit të çështjes së Jurgen Mollës dhe Arben Prendit nga Krimet e Rënda në një prokurori të rrethit Shkodër.

RASTI I PARE

“Nga studimi i raportit të shërbimit të 5 nëntorit 2015 rezulton se automjeti BMW X5, me ngjyrë të zezë, me targa AA9.9XX është konstatuar i parkuar pranë Prokurorisë për Krimeve të Rënda Tiranë. Tek automjeti me targa AA9.9XX në orën 11:30 afrohet dhe hipën një shtetas rreth 40 vjeç, me fokë të shkurtra të thinjura, veshur me këmishë me ngjyrë të bardhë, pantallona të zeza së bashku me një shtetas tjetër rreth 35 - 40 vjeç me flokë të shkurtra, veshur me këmishë ngjyrë të bardhë, kostum gri. Automjeti ka vazhduar rrugën nga rruga Asim Vokshi, në bulevardin Zogu i I. Nga kornunikimet me qendrën e përgjimeve dhe pas studimit të raporteve të shërbimit ka dyshime të arsyeshme se Jurgen Molla me ndërmjetësimin e dy shtetasve që hipën në mjetin me targa AA9.9XX, nga të cilët njëri është drejtuesi i mjetit dhe ka rolin e sekserit dhe tjetri është avokati i të arrestuarit Arben Prendi, i cili thërritet Arbër. Këta persona po kërkonin që të korruptonin zyrtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimë të Rënda Tiranë me qëllim pranimin e gjykimit të shkurtuar për Arben Prendi, lidhur me rastin e sekustrimit të 15 kg lëndë narkotike të llojit heroinë në doganën e Morinës…”, thuhet në raportin konfidencial.

Më tej në këtë rast del qartë se Jurgen Molla komunikon në mënyrë të vazhdueshme dhe me nënën e korrierit të tij të arrestuar, Arben Prendi, ku Jurgeni vazhdimisht i tregon se është duke punuar për ta ndihmuar Arben Prendin dhe është duke paguar vazhdimisht lekë për këtë gjë.

Konkretisht më 10 dhjetor 2015, në orën 18:02:59 Jurgen Molla kontaktohet nga Tringa (Katerina) Prendi me numrin e telefonit 0039339352XXXX. Gjatë bisedës Jurgeni i përsërit disa herë se i ka vënë punët në terezi, si dhe e porosit që t'u thotë personave të tretë të mos flasin, pasi prishin punë.

Tringa i ka treguar Jurgenit se: “…e ka telefonuar i biri, Arben Prendi, i cili ndodhej në burg, dhe i ka thënë se i ka humbur shpresat dhe e ka porositur, që t'i thotë Jurgenit të mos e lërë në burg për lekë dhe se deri tani nuk është dhënë asnjë lek…”.

Jurgeni i thotë se: ”…nuk mund t'i tregojë se ku po i jep lekët, pasi i del fjala, por i thotë se lekë janë dhënë dhe po vazhdojnë të jepen përditë…”.

I biri i ka thënë Tringës se: ”…po rri në burg, ngaqë nuk janë dhënë lekë…”.

Ndërkohë Jurgeni fajëson të shoqen e Arbenit, e cila ka bërë pazare të mëdha.

Jurgeni i përsërit, se: ”…ka dhënë lekë dhe personat që i kanë marrë, nuk e pranojnë, pasi "edhe muret kanë veshë…".

Tringa i betohet Jurgenit se: “…do t'ia kthejë të gjitha lekët" dhe Jurgeni e siguron se çështja do të shkojë në Apel dhe se Arbeni do të lirohet shumë shpejt.

Në vijim të kësaj bisede, Jurgeni i thotë se:"...Një që ka qenë, që ka pas prish punë aty ku është ai, një X prokuror që ka pas fut atë, e kanë shkarkuar sot. Janë dhënë lekë që është shkarkuar, nuk po të them më gjatë...".

Tringa shpreh habi.

Jurgeni vijon duke thënë: “...E kanë heq nga aty e kanë dërguar në Shkodër, prej këtyre punëve...”.

Tringa e pyet: “...E keni pas kundra atë?...”.

Jurgeni përgjigjet: “...Po, një legen, që e kemi pas kundër. Më gjatë nuk flas dot. Çoja me amanet, thuaji për punë lekësh...”.

Tringa i thotë: "...Me amanet ia çoj, faleminderit prej teje, nesër do të them çfarë më ka thënë...".

Jurgeni përfundon bisedën duke i thënë: "...Thuaji, për lekë nuk rri brenda sa të jem unë gjallë...".

Në raport thuhet se prokurori të cilit i referohet shtetasi Jurgen Molla në bisedë me Tringë Prendin, është prokurori Arton Martini, i cili u transferua nga Krimet e Rënda duke u emëruar si prokuror i thjeshtë në prokurorinë e Shkodrës.

Pas largimit të Martinit në Shkodër, dosjen e Jurgen Mollës me persona e tjerë të grupit e mori prokurori Eugen Beci. Sot të dy prokurorët janë shkarkuar nga “vetingu”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco