800 mln për trotuaret/ Veliaj kthen 'M. Shyrin' në makth për qytetarët

800 mln për trotuaret/ Veliaj kthen 'M. Shyrin' në makth për qytetarët

13:45, 16/11/2023
A+ Aa A-

Kushdo që jeton në Tiranë, e njeh shumë mirë rrugën “Myslym Shyri”, një prej akseve kryesorë rrugorë të kryeqytetit dhe një prej atyre më të shtrenjtëve sa u përket dyqaneve dhe jetesës.

Por, prej disa muajsh, kjo rrugë është shndërruar në makthin e qytetarëve, jo vetëm të atyre që banojnë pranë tij, por edhe kujtdo që e përdor atë në përditshmërinë e saj.

Gropa, kanale, pirgje inertesh, rrugë e shkatërruar, trotuare të pakalueshme. Kjo është panorama e “Myslym Shyrit” këto ditë.

Kur koha është e thatë dhe pa reshje, rruga është vështirësisht e kalueshme, sidomos për të moshuarit dhe nënat me fëmijë të vegjël. Ndërsa në ditë me reshje të dendura shiu, si ato që përjetoi Tirana dhe i gjithë vendi gjatë fundjavës së kaluar, “Myslym Shyri” është thjesht një aks i pakalueshëm për qytetarë e për mjete.

Gjendja skandaloze e rrugës në të gjithë gjatësinë e saj, rreth 1 kilometër, është shkaktuar nga punimet që kanë nisur për sistemimin e trotuareve dhe nuk dihet se kur do të përfundojnë, pavarësisht se afati për mbarimin e tyre tashmë ka kaluar.

Në fund të vitit 2022, Bashkia e Tiranës shpalli tenderin me vlerë mbi 830 milionë lekë të vjetra ose rrethj 800 mijë euro dhe me objekt “Ndërtimi i trotuareve dhe riasflatim i rrugës ‘Myslym Shyri’.

Për sistemimin e trotuareve të kësaj rruge janë zhvilluar tendera herë pas here nga pushteti lokal dhe gjendja e saj, në çdo rast, kthehet në skandaloze vetëm pak kohë pas përfundimit të punimeve.

Në 30 dhjetor të vitit të kaluar, Bashkia e Veliajt vendosi sërish t’i rikthehet punimeve në këtë aks rrugor.

Në garën tenderuese morën pjesë 9 operatorë ekonomikë, nga të cilët katër u skualifikuan. Në përfundim, tenderi u fitua nga shoqëria “Senka” shpk, e cila paraqiti ofertën ekonomike me vlerë 600 milionë lekë të vjetra.

Kontrata për nisjen e punimeve u nënshkrua në fund të marsit 2023 dhe afati i punimeve ishte 6 muaj, pra deri në fund të shtatorit të këtij viti.

Por, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga përfundimi i afatit, ndërtimi i trotuareve dhe sistemi i asflatit janë shumë larg përfundimit.

Në fotot e mëposhtëme tregohet qartësisht se punimet tek “Myslym Shyri” vijojnë në mënyrë të çoroditur, duke u shndërruar në një rrezik potencial për të gjithë përdoruesit e saj, si njerëzit, ashtu edhe automjetet./boldnews

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco