E rëndë/ Dhunoi fëmijën autik, edukatorja nxiste fëmijët e tjerë kundër tij

11:41, 15/11/2023
A+ Aa A-

Një edukatore në një kopsht publik në Elbasan është vënë nën hetim nga policia, pasi dyshohet se ka dhunuar një fëmijë me autizëm. Policia sqaroi se edukatorja 57-vjeçare me iniciale O.B., dyshohet se ka keqtrajtuar 5-vjeçarin.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen O. B., 57 vjeçe, banuese në Elbasan, me profesion edukatore në një kopsht publik, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një 5-vjeçar që vuan nga autizmi. Shërbimet e Policisë po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit”, sqaroi policia.

Burime të SYRI TV thonë se rasti është referuar nga prindërit në 26 tetor pasdite. Sipas tyre, fëmijët pretendojnë se edukatorja i ka nxitur të reagojnë ndaj 5-vjeçarit autik, i cili herë-herë shfaq hiperaktivitet dhe sjellje të dhunshme.

Menjëherë në datën 27 tetor (e premte) prindërit janë mbledhur nga drejtoria e kopshtit së bashku me përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në Bashkinë e Elbasanit për të diskutuar rastin.

Menjëherë të hënën, në datë 30 tetor ndaj edukatores është marrë masa e pezullimit deri në zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur në kopsht.

Më pas një grup pune i përbërë nga psikologë, punonjës socialë, përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në bashki, sektori i mbrojtjes se fëmijëve, përfaqësues të ZVA dhe përfaqësues të policisë është ngritur për të hetuar rastin.

Duke qenë se fëmija ka problematika të spektrit autik rasti kërkon kujdes të veçantë dhe mbikëqyrje të psikologëve.

Ndërkohë edukatorja vijon të jetë e pezulluar deri në sqarimin e situatës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco