Gazeta belge: Rexhepi u arratis nga burgu këtu, njihej si gjysmë-antverpas

11:20, 11/11/2023
A+ Aa A-

Arrestimi i Dritan Rexhepit në Turqi po bën jehonë në mediat e mbarë kontinentit.

Gazeta më e madhe belge, HLN, shkruan se baroni shqiptar i drogës u arrestua në Stamboll.

Sipas kësaj gazete, 44-vjeçari kishte krijuar një super-kartel droge, të quajtur Kompania Bello.

Media belge thekson se karteli i tij trafikonte drogë nga Amerika Latine drejt Europës. Kryesisht droga nisej nga porti i Guajakilit në Ekuador dhe përfundonte në portin e Antverpës në Belgjikë.

Madje gazeta shkruante se shqiptari njihej edhe si gjysmë-antverpas. Gazeta e këtij qyteti shkruante në fillim të këtij viti se Rexhepi ishte si gjysmë banori rezident i Antverpës.

Dikur ai ka qenë i burgosur në qytetin e Antverpës pasi ishte dënuar në vitin 2007 për vjedhje të dhunshme. Por në vitin 2011, ai arriti të arratisej nga burgu Merksplas.

Mediat belge shkruajnë se ai u arrestua në Stamboll falë informacioneve nga shërbimet e inteligjencës italiane.

Rexhepi dyshohet për vrasje, rrëmbim, trafik drogash dhe armësh mes shumë krimesh të tjera.

Pamjet e arrestimit tregojnë se atij iu gjetën edhe bizhuteri, ora luksoze dhe para të thata gjatë arrestimit. Ai ishte arratisur edhe nga një burg në Itali.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco