FOTO/ Zbulohet arsenal armësh serbe në veri të Kosovës

FOTO/ Zbulohet arsenal armësh serbe në veri të Kosovës

14:16, 05/09/2023
A+ Aa A-

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës ka zbuluar të martën një bazë armatimesh në veri të vendit, në Zveçan.

“Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha Sveçla përmes një postimi në Facebook, ku kishte botuar edhe fotografi nga armët e sekuestruara.

“Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”.

Sipas tij, Veriu po i rikthehet normalitetit pasi për 20 vite ka qenë strehë e organizatave kriminale e kriminelëve të financuar nga Beogradi. “Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm”.

Një ditë më parë, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Tiranë, akuzoi Serbinë se fut ilegalisht armë në Kosovë dhe stërvit grupe ushtarake ilegale për të shkaktuar trazira atje.

“Kur kemi agresion të përditshëm institucional e të sigurisë nga ana e një fqinji agresiv, i cili akoma vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut, atëherë është detyrim i secilit prej nesh që interesat kombëtare t’i vëmë para së gjithash”, tha Osmani.

“Ta keni parasysh që Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë, ilegalisht, Serbia vazhdimisht trajnon pjesë të strukturave ilegale kriminale në ushtrinë serbe, në mënyrë që ata pastaj të shkaktojnë probleme nëpërmjet armëve që i kanë sjellë ilegalisht në veri të Kosovës”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco