EMRAT/ U kapën duke transportuar emigrantë kundrejt pagesës, arrestohen 4 persona në Tiranë

EMRAT/ U kapën duke transportuar emigrantë kundrejt pagesës, arrestohen 4 persona në Tiranë

14:10, 05/09/2023
A+ Aa A-

4 persona janë arrestuar pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 7 emigrantë kundrejt pagesës 600 euro për person me  qëllim që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Në kuadër të operacionit policor të koduar "Pararoja 3" u arrestuan Rafael Demaj, Enriko Gjonaj, Arnold Kërçi dhe Mehmet Bregu. U sekuestruan 2 automjete dhe 4 celularë. 

Njoftimi i policisë Tiranë:

Finalizohet operacioni policor i koduar "Pararoja 3", për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, Forca e Posaçme Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme "Shqiponja", në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Vihen në pranga 4 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 7 emigrantë, kundrejt pagesës 600 euro për person, me qëllim që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Shpallet në kërkim organizatori i kësaj veprimtarie kriminale.

Procedohen penalisht edhe 7 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 4 aparate celulare.

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, dhe shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja", në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pararoja 3”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. D., 27 vjeç, E. Gj., 24 vjeç, A. K., 27 vjeç, dhe M. B., 46 vjeç, të katërt banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi D. Q., 38 vjeç.

Shtetasit e arrestuar janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Vorë, duke transportuar me 2 automjete, 7 emigrantë, të cilëve, kundrejt pagesës 600 euro për person, iu kishin premtuar transportimin nga Konispoli në drejtim të Shkodrës dhe Kukësit, me qëllim kalimin e tyre në pikën kufitare me Malin e Zi dhe Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi R. D., ka shkelur masën e sigurisë "Arrest në shtëpi".

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 7 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror".

Vijon puna për kapjen e organizatorit të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco