Po transportonte dru pa dokumentacionin përkatës, arrestohet 65-vjeçari në Devoll

Po transportonte dru pa dokumentacionin përkatës, arrestohet 65-vjeçari në Devoll

15:28, 04/09/2023
A+ Aa A-

Një 65 vjeçar është arrestuar pasi drejtonte mjetin pa leje drejtimi, ndërsa mjeti dyshohet se përdorej për transportimin e druve pa dokumentacion. Shtetasi I.Z 65 vjeç ra në pranga, ndërsa sasitë e druve dhe automjeti u sekuestruan nga policia. 

Njoftimi i policisë Devoll:

Devoll/Goditet një tjetër rast i prerjes së kundërligjshme të pyjeve, gjatë kontrolleve për goditjen e krimeve kundër mjedisit.

Sekuestrohen lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme dhe një mjet që dyshohet se shërbente për transportimin e saj.

Vihet në pranga 65-vjeçari që drejtonte pa leje drejtimi, mjetin që dyshohet se e përdorte për transportimin e druve, pa dokumentacion.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, kanë goditur një rast të prerjes së pyjeve. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi:

-I. Z., 65 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se 65-vjeçari transportonte me një mjet bujqësor, dru të prera në mënyrë të paligjshme, ushtruan kontroll në fshatin Miras, ku konstatuan një sasi drush zjarri dhe mjetin bujqësor "John Deere" me rimorkio, pa targë, me drejtues shtetasin I. Z. Nga verifikimet e kryera rezultoi se 65-vjeçari e drejtonte pa leje drejtimi këtë mjet të cilin dyshohet se e përdorte për transportimin e druve të prera në mënyrë të paligjshme.

Sasitë e druve dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë edhe gjatë natës, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco