Denoncimi/ Behar Bajrin e çuan drejt lirisë dy prokurorë të SPAK

Denoncimi/ Behar Bajrin e çuan drejt lirisë dy prokurorë të SPAK

12:53, 25/08/2023
A+ Aa A-

Sali Berisha ka denoncuar sot përfshirjen e politikës dhe gjyqësorit në çështjet e krimit në Shkodër duke iu referuar operacionit “Metamorfoza”. Berisha tha se lirimi i Behar dhe Denis Bajri dy emra të njohur të krimit dhe të përfshirë në vrasjet me pagesë në Shkodër u ndihmuan nga dy prokurorët e SPAK, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi.

“Ishte një muaj revanshi për krimin sepse me vendosjen në krye të ministrisë së krimit, Behar Bajri dhe Denis Bajri u zhdukën- dy vrasësit e organizatës kriminale të Pëllumb Gjokës dhe Edi Ramës. Mos harroni se ka një histori me këta: dosja e tyre vjen në Tiranë para dy vitesh. Në fakt ata i arreston një prokuror i guximshëm në Shkodër. Ai u përjashtua me shpejtësi nga prokuroria me veting. Dhe dy prokurorët që kanë kaluar vetingun, Kondili dhe Nakuçi, lan duart me dosjen dhe ia çuan për kompetencë Xhevahirit, që ishte ushtar i Pëllumb Gjokës. Kjo është e vërteta. Dhe natyrisht Xhevahiri i Shkodrës, brenda muajsh i nxori vrasësit nga burgu. Operacioni “Metamorfoza” dështoi sepse 60 përqind e personave nuk u arrestuan, sepse vrasësit nuk u arrestuan” tha Berisha.

Behar Bajri është një emër i njohur për policinë, i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshme të botës së krimit në Shqipëri. Behar Bajri akuzohet se ka vrarë në gjumë partneren e tij 15-vjeçare, Fabiola Bajri dhe shtetasin Arben Tuzi, ngjarje këto të vitit 2002. Ai dilte në përgjimet e telefonave Sky duke ekzekutuar porositë e vrasjeve të Pëllumb Gjokës.

Kush janë personat e arrestuar gjatë operacionit Metamorfoza, shkruan Lapsi. al 

1. Oltion Bistri- Specialisti i Drejtorisë së Krimeve në Volum, Oltion Bistri sapo ishte emëruar në këtë pozicion. Më herët ka mbajtur postin e Shefit të Operacionales një post që e mori në shkurt të vitit 2022. Në vjeshtën e vitit 2021, ka qenë me detyrë në Policinë e Lezhës ndërsa ka drejtuar edhe atë të Durrësit.

2. Xhevahir Lita- Prokuror i qarkut Kukës. Ai e mbante detyrën e Prokurorit të Kukësit që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.

3. Astmer Bilali- Anëtar i bandës së Bajrave dhe ish boksier i Vllazënisë. Astmer Bilali, ish boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv. Ai u arrestua në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër nga FNSH dhe RENEA, si pjesë të “Bajrave”, e ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale. Vetëm pak kohë më parë, iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babi dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali.

4. Ardit Hasanbenga- Ish Shefi i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat. Ai u shkarkua nga policia në nëntor të vitit te shkuar pas shkarkimit të zinxhirit komandues të policisë së Beratit. Kjo u bë pas zbulimit të serave me kanabis në këtë qark, në fshatin Rërëz

5. Pëllumb Gjoka- Njihet si biznesmen i kazinove dhe i ndërtimeve në Velipojë. Ai gjithashtu drejton edhe Imperial Construction, plazhin ADA në Velipojë dhe një sërë biznesesh po në këtë zonë.

6. Edmond Lika, i arrestuar për ndihmën që ka dhënë në vrasjet me porosi.

Ende nuk është konfirmuar se çfarë shkeljesh kanë kryer këta persona, por operacioni ka qenë shumë i gjerë dhe mund të jenë edhe persona të tjerë të arrestuar. Priten të dhëna të tjera më të hollësishme për këtë operacion, por kryesisht SPAK preferon të mbajë hermetik informacionin deri në përfundim të një procesi./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco