SYRI TV/ Protestë kundër ndërtimit të fabrikës, 'Byberi SH.P.K' vijon punimet

14:15, 09/08/2023
A+ Aa A-

Banorët e njësisë administrative Fierzë në Tropojë kanë protestuar kundër ndërtimit të fabrikës së bitumit nga “Byberi SH.P.K”. Sipas tyre punimet për fabrikën po gërryejnë malin duke shkaktuar ndotje të ambientit, duke dëmtuar edhe turizmin. Edhe pse Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka urdhëruar pezullimin e lejes mjedisore të kompanisë, punimet vijojnë në kundërshtim me urdhrin. Banorët kërkojnë nga organet ligjzbatuese të ndërhyjnë për të ndërprerë menjëherë këtë aktivitet të paligjshëm.

SYRI TV

Banorët e njësisë administrative Fierzë në Tropojë janë ngritur në protestë mëngjesin e kësaj të mërkure kundër ndërtimit të fabrikës me aktivitet prodhimi dhe fraksionimi i produkteve minerale jometalike nga “Byberi SH.P.K”. Për ndërtimin e kësaj fabrike po gërryhet faqja e malit, ndërsa punimet po kryhen fare pranë ujësjellësit të njësisë dhe vetëm 50 metra larg rrugës nacionale Fierzë-Sheshi Trageteve-Bajram Curri.

Sipas banorëve, punimet kanë shkaktuar jo vetëm ndotje të ambjentit dhe shkatërrim të habitatit natyrore të maleve, por po dëmtojnë edhe turizmin malor të zonës duke shkaktuar zhurma, pluhur e shqetësim për turistët.

Banorët ngrenë edhe shqetësimin për fëmijët që shkojnë në shkollë nga kjo rrugë, të cilët rrezikohen nga mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë materialet inerte.

Edhe pse Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka pezulluar një vit më parë lejen mjedisore të operatorit “Byberi SH.P.K”, ky i fundit vijon punimet në kundërshtim me urdhrin. Konkretisht, Ministria e Turizmit konstaton se nuk ka asnjë kërkesë apo aplikim nga subjekti “Byberi” për procedurë të heqjes së sipërfaqes nga fondi pyjor dhe nga analizimi ligjor rezulton se ky subjekt nuk mund të fillojë ushtrimin e veprimtarisë pa kryer më parë këtë procedurë. Për këto arsye Ministria e Turizmit urdhëroi pezullimin e lejes mjedisore për operatorin “Byberi SH.P.K” deri në përfundimin e procedurave ligjore për heqjen e sipërfaqes objekt ushtrimi veprimtarie nga fondi pyjor. Por pavarësisht se vendimi është ende në fuqi, kompania vijon punimet duke u kthyer edhe në problem për banorët e zonës, të cilët janë ankuar vazhdimisht dhe janë ngritur disa herë në protesta, por pa marrë një zgjidhje konkrete. Kërkesa e banorëve ndaj organeve ligjzbatuese është që të ndërhyjnë për të ndërprerë menjëherë këtë aktivitet të paligjshëm dhe situata të kthehet në normalitet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco