SYRI TV/ Hetimi për Check Up, SPAK thërret për të pyetur 70 qytetarë

15:52, 02/08/2023
A+ Aa A-

70 qytetarë nga Elbasani kanë dëshmuar këtë të mërkurë në SPAK për kryerjen ose jo të vizitave mjekwsore nw sistemin Check Up, një çështje që po hetohet nga Prokuroria me dyshimet për abuzime e korrupsion. Ata nuk dinë se për çfarë janë thirrur teksa prej dy javësh iu ka mbërritur shkresa pwr tu paraqitur nw prokurori. SPAK po heton edhe 3 çështje që kanë të bëjnë me koncesionet me shëndetësinë e drejtuar në atë kohë nga Ilir Beqja. Dëmi që pretendohet të jetë mbi 220 milion euro, mbush 8 vite nga nisja e hetimeve, ndërsa ende nuk ka patur një finalizim të tyre.

SYRI TV

Prokuroria e Posaçme ka bërë një tjetër hap lidhur me hetimin për koncesionit të Check Up-it, kryer në kohën kur ministër i shëndetësisë ishte Ilir Beqja. Me një shkresë në duar ku ftoheshin të mbërrinin për të dhënë deklarime të mërkurën në SPAK, lidhur me procedimin penal nr 122/2020, dhjetra qytetarë nga Elbasani, pritën me ankth në dyert e Prokurorisë. Kryesisht të moshave të treta, rrëfejnë jashtë kamerave që kishin qëndruar për 2 javë në panik pasi nuk gjenin dot arsye pase ishin thirrur dhe se nuk kishin shkelur asnjë ligj. Ata janë thirrur nga agjentët e BKH-së për të dhënë deklarime, lidhur me kryerjen e Check Up, për kohën e kryerjes së analizave, datat përkatëse, nëse kanë bërë pagesa apo jo për të provuar nëse kanë qenë nisma fiktive apo është abuzuar me to. Çështja u kallëzua nga Partia Demokratike në 2020, që pretendonte se ka prova dhe fakte për shkeljen e ligjit, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se për 3 vitet e para, koncesionari është paguar në mënyrë abuzive me 12.6 milionë euro për rreth 500 mijë analiza të pabëra asnjëherë. Në 2015 Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet pasi regjistroi procedim penal për të paktën tre tendera në fushën e shëndetësisë: “kontrolli shëndetësor falas”, “hemodializa” dhe “sterilizim i pajisjeve kirurgjikale”. Kontrolli shëndetësor falas iu besua për 120 milion euro, për një periudhë 10 vjeçare, kompanisë së Vilma Nushit një emër i njohur për afërsinë me kryeminsitrin. Më parë, kallëzimi i nismës Thurje, çoi në hetim koncesioni i sterilizimit. Qeveria dha me koncesion 4 shërbime shëndetësore, por pavarësisht akuzave, Kryeministri Edi Rama i mbrojti ato si politika e duhur dhe më e mirë për shëndetësinë. Koncesioni për kontrollin shëndetësor falas për qytetarët 40-65 vjeç, koncesioni i hemodializës dhe ai i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale shkojnë të treja në një vlerë mbi 250 milion euro. Sa i përket sterilizimit, një vit më parë, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja dha për 8 orë deklarime në SPAK, teksa procedurat e hetimit kanë ecur me hapa të ngadaltë.   

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco