Skemë mashtrimi me TVSH-në, pranga 2 personave në Gjirokastër. Në kërkim 3 italianë

Skemë mashtrimi me TVSH-në, pranga 2 personave në Gjirokastër. Në kërkim 3 italianë

11:06, 28/07/2023
A+ Aa A-

2 shqiptarë u vunë në pranga, ndërsa 3 italianë u shpallën në kërkim nga Policia e Gjirokastrës, pasi akuzohen se kanë krijuar një skemë mashtrimi për të përfituar vlera të mëdha monetare. Të ardhurat përfitoheshin nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së, me anë të kompanive të rreme. Sipas hetimeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Italisë, këta persona kishin krijuar tre kompani të rreme me qëllim përfitimin nga TVSH-ja.

Në funksion të hetimeve, personat në fjalë të cilët akuzohen për 4 vepra penale, dyshohet se kanë lidhje me një tjetër shtetas italian i arrestuar në 2009 dhe 2013 në Caltanissetta, për mashtrim tatimor duke përfituar miliona euro.

4 ditë më parë, policia njoftoi se kishte vënë nën hetim 6 persona dhe se ishin sekuestruar 3 llogari bankare me shumat 1 milion e 300 mijë euro dhe 13 milion lekë të rinj. Sipas policisë, nga kontrollet e ushtruara janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të rëndësishme për hetimet bashkë me 19 vula të subjekteve të ndryshme tregtare që dyshohet se janë mbajtur për të ushtruar aktivitetet kriminale.

NJOFTIMI I POLICISË 

DVP Gjirokastër/Vijon operacioni policor i koduar “Skema”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të krijimit të skemave të mashtrimit, me qëllim përfitimin.

Operacioni, nga DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë e Gjirokastrës.

Në vijim të hetimeve vihen në pranga 2 shtetas shqiptarë dhe shpallen në kërkim 3 shtetas italianë, të akuzuar për krijimin e skemave të mashtrimit, me qëllim përfitimin nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Gjirokastër, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit I. Q., 45 vjeç dhe E. B., 48 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit italianë A. D., S. C. dhe S. C. Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Dhënia e informacioneve të rreme”.

Nga veprimet hetimore me metoda proaktive të zhvilluara nga strukturat hetimore të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër dhe me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar subjekte dhe kanë lëshuar fatura me TVSH fiktive, për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore, për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së.

Në kuadër të këtij procedimi penal, në zbatim të vendimeve të Gjykatës është bërë sekuestrimi i 3 llogarive bankare me shumat 1 milion e 300 000 euro dhe 13 milionë lekë të rinj.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe autoritetet italiane, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarive kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco