EMRAT/ Zbulohet laboratori për falsifikimin e dokumenteve, 3 në pranga

EMRAT/ Zbulohet laboratori për falsifikimin e dokumenteve, 3 në pranga

10:30, 22/07/2023
A+ Aa A-

Pas pesë muajsh hetime, Policia e Shtetit ka arritur të zbulojë në Korçë një laborator ku falsifikoheshin dokumente të shumëllojshme, vula etj. me synimin për t’i pajisur shtetasit shqiptarë dhe nisur ata në emigrim  në vende si Angli, Kanadaja, SHBA-ja.

Tre persona e arrestuar janë: Thanas Sholla, Besnik Dine, Artur Rakipi. Pagesat që u kryheshin atyre për shërbimin që bënin nisnin nga 300 euro deri në 10 mijë euro.

Operacioni i koduar si "The counterfeiters" u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, pas hetimeve 5-mujore.

Policia sekuestroi qindra dokumente të falsifikuara, fotokopje dokumentesh të huaja dhe shqiptare, të dyshuara të falsifikuara, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe plastifikimi, vula, simbole, emblema të shteteve të huaja, automjete, shuma parash të siguruara nga ky aktivitet.

Në njoftimin zyrtar thuhet:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve, pas një hetimi 5-mujor, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se 3 shtetas ushtronin veprimtarinë kriminale në formën e grupit të strukturuar kriminal në qytetin e Korçës, organizuan dhe finalizuan megaoperacionin policor të koduar "The counterfeiters".

Si rezultat i këtij operacioni, u ekzekutua vendimi i Gjykatës Korçë e cila ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" dhe u ndaluan shtetasit në kërkim:

- Th. Sh., 60 vjeç; B. D., 52 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu po në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

- A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e falsifikimit të dokumenteve.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të këtij operacioni në banesat e dy shtetasve Th. Sh. dhe B. D., dhe në automjetin e këtij të fundit, gjetën pajisje kompjuterike, makineri plastifikimi, fotokopje dokumentesh të huaja dhe një shumë parash.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. R., u zbulua një ambient i përshtatur si laborator për prodhimin e dokumenteve të ndryshme shqiptare dhe të huaja të falsifikuara.

Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, kundrejt pagesave të konsiderueshme nga 300 euro deri në 10000 euro, prodhonin dhe ju shisnin personave të interesuar, shqiptarë dhe shtetas nga vendet e treta, dokumente shqiptare dhe të huaja, të falsifikuara, për të udhëtuar në hapsirën SCHENGEN, Shba, Kanada, Angli etj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme dokumentesh të huaja dhe shqiptare të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, leje qendrimi, leje drejtimi, diploma shkolle); fotokopje dokumentesh të huaja; pajisje kompjuterike; makineri prodhimi dhe plastifikimi; vula, simbole, emblema të shteteve të huaja; automjete; shuma parash të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.

Operacioni vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco