Zemra e Saimir Sulës kthehet në Shqipëri/ Misteri për vdekjen mbetet

Zemra e Saimir Sulës kthehet në Shqipëri/ Misteri për vdekjen mbetet

12:47, 15/07/2023
A+ Aa A-

Zemra e shqiptarit Saimir Sula, që ndërroi jetë në spitalin ‘Del Mar’ të Barcelonës gjatë kohës së pandemisë, tashmë i është dorëzuar autoriteteve shqiptare. Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se është përfunduar procesi i riatdhesimit në datën 15 korrik 2023 pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë

Zemra e Saimir Sulës kthehet nga Spanja në Shqipëri, edhe pse misteret për vdekjen e tij dhe fatin e zemrës mbeten.

"Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë realizuan me sukses procesin e riatdhesimit të zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në datën 15 korrik 2023 pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë.  Me anë të kësaj deklarate të përbashkët, Ministria e Drejtësisë në cilësinë e koordinatorit të procesit, Prokuroria e Përgjithshme në cilësinë e autoritetit kompetent, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë informojnë mediat dhe opinionin publik se, ditën e sotme  ka përfunduar me sukses procesi për kthimin e zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në Shqipëri," thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.

"Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike. Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle, por vetëm në maj 2023 u mor vendimi nga Gjykata 16 e Barcelonës për lejimin e riatdhesimit të organit (zemrës). Prokuroria e Tiranës në kohë rekord nga momenti i njoftimit të këtij vendimi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme morën masat për realizimin e procedurës së riatdhesimit të zemrës. Prokurori i çështjes, njëkohësisht, në përmmbushje të detyrimeve ligjore njoftoi familjarët për praninë gjatë procesit të riatdhësimit," vijon njoftimi.

Para pak ditësh, gazeta më e madhe spanjolle, El Pais shkruante për këtë ngjarje.

"Por si u arrit te kjo situatë? Pse u hoq organi dhe si mund të jetë dikush 100% i sigurt e është zemra e tij ajo që do të kthehet në Shqipëri? Të gjitha këto janë pyetje që Prokuroria e Tiranës dëshiron t’u japë përgjigje përmes plotësimit të autopsisë dhe testit të ADN-së, duke pasur dyshimin se Sula mund të ketë qenë viktimë e trafikimit të organeve – një hipotezë që është hedhur poshtë nga drejtësia spanjolle. Majlinda Sula, motra e Saimirit, dyshoi që nga fillimi se diçka e çuditshme kishte ndodhur. Skeda mjekësore e Saimirt thoshte se ai ishte tepër nervoz dhe se vdiq pasi rojeve të sigurisë së spitalit iu desh të ndërhynin për ta ndaluar. Autopsia, e kryer nga Institut de Medicina Legal i Ciències Forenses i Katalonjës, konkludoi se vdekja e tij kishte qenë “pasojë e një arresti kardiak për shkak të ateromatozës kritike koronare” dhe pranoi se “prania e bronkolitit, ethet, nervozizmi dhe kufizimi me forcë ishin faktorë në rezultat, duke shkaktuar kërkesë të rritur kardiake”," shkruante gazeta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco