Hapet qendra për migrantët ilegalë në Qafë Botë, kapacitet deri në 60 persona

Hapet qendra për migrantët ilegalë në Qafë Botë, kapacitet deri në 60 persona

15:07, 11/07/2023
A+ Aa A-

Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Ministria e Brendshme përuruan sot Qendrën e Regjistrimit dhe Strehimit të Përkohshëm për Migrantët e parregullt në Qafë Botë.

Për shkak të fluksit të shtuar të migrantëve të parregullt nga pika më jugore e kalimit kufitar me Greqinë, autoritetet shqiptare kanë kërkuar mbështetjen e IOM për ngritjen e një qendre regjistrimi dhe strehimi të përkohshëm.

"Jemi në doganën e Qafë Botës për të inaguruar qendrën për emigrantët e paligjshëm, donacion nga Joni, me një kapacitet prej 60 personash e cila, do të menaxhojë shumë pritjet, akomodimin e gjithë shtetasve të huaj të cilët do të kapen në këtë territor. Ky është një investim shumë i rëndësishëm në policinë kufitare të emigracionit për të mbajtur standartet e larta ndërkombëtare, për ti trajtuar në bazë të gjithë dinjiteteve të njeriut dhe për të qënë një pjesë shumë e mirë e prezantimit qoftë në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar."

Qendra ka kapacitet të akomodojë 60 persona, ndërsa ka ambjente të dedikuara fëmijëve dhe një ambulancë.

"Unë e kam vizituar pikën kufitare të Qafë Botës 2 muaj më parë, dhe bëmë një vlerësim të nevojave që ishin këtu, dhe ishte shumë imediate ngritja e kësaj qendre dhe Joni mori menjëherë masat. Jemi vertet të lumtur që e arritëm në një kohë shumë rekord brenda 1 muaji që kjo qendër të ngrihej, ka kapacitet për 60 persona për të qëndruar ka një ambjent për fëmijët, ka një ambulancë për një shërbim të shpejtë, kjo është qendër për regjistrim dhe akomodim të përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm e cila është bërë me suportin financiar të ministrisë daneze, gjithashtu dhe ministrisë së jashtme norvegjeze," tha Alma Jani.

Gjatë vitit 2022 përmes pikës kufitare të Qafë Botës kanë mbërritur në vendin tonë 1240 emigrant të paligjshëm, kryesisht afgan, ndërsa 6 mujorin e parë të këtij viti  janë kapur 396 emigrant mes tyre 20 fëmijë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco