Zbardhet dosja e ekzekutimit të kunatit të Bejtjes/ Prokuroria: Në makinë ishte edhe motra e viktimës bashkë me dy djemtë

Zbardhet dosja e ekzekutimit të kunatit të Bejtjes/ Prokuroria: Në makinë ishte edhe motra e viktimës bashkë me dy djemtë

08:55, 11/07/2023
A+ Aa A-

Valter Bami, vëllai i Durim Bamit u la në burg për afat nga Gjykata e Tiranës, i dyshuar për atentatin në Larushk të Krujës më 4 korrik, ku u plagosën djemtë e Gentian Bejtes 10 dhe 13 vjeç dhe u vra kunati Ramazan Sino.

Sipas Prokurorisë, në dorën e majtë të Velter Bamit, i cili u shoqërua pas atentatit ndaj Bejtjas, u gjet një grimcë baruti. Por avokati i Valter Bamit, Ilir Murati, e cilësoi vendimin e Gjykatës si të padrejtë dhe të ndikuar nga presioni i opinionit negativ mbi klientin e tij. Avokati tha se prokuroria nuk ka prova, ndërsa hodhi akuza në drejtim të gjyqësorit, ku shtoi se gjykata po vepron në mënyrë arbitrare.

Sipas avokatit, një grimcë baruti e cila i është gjetur në dorë në gjykatën shqiptare bëhet armë. “Patëm debate me prokurorinë, kemi provën e fortë për lejen e armës sportive. Një mikrogrimcë baruti sot në gjykatën shqiptare bëhet armë. Valter Bami ka një armë sportive me leje prej 3 vitesh. Dyshova se mos do na sjellë ndonjë gjë të re prokurori, por sot gjykata ndodhet në një version shumë të dobët profesional. Na thuhet se ka rrezik dalje Valter Bami, por ne kemi të drejtë të shkojmë ne çdo vend të botës.

Lidhet edhe me faktin se ka qenë i dënuar në 2018. Gjykata vepron në mënyre arbitrare nga opinioni dhe presioni që bëhet për qytetarë të tillë. Klienti im tha se në orët kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në banesë. Celulari memorizonte lëvizjet që ka bërë klienti im. Ne po shokohemi me këtë informacione, pasi nuk i atribuohet Valter Bamit për veprën që ka ndodhur në Larushk. Ai është sjellë për armëmbajtje pa leje dhe i është gjetur vetëm një grimcë baruti. S’kam informacion për marrëdhënien e tij me Gentian Bejtjan”, tha avokati i tij.

Këqyrja e vendit të ngjarjes

“Ramazan Sino ka qenë Tiranë me motrën e tij A.B, e cila është bashkëshortja e Gentian Bejtjes, si dhe dy nipat e mitur. Pasi kanë kryer disa vizita mjekësore për nipin, ata kanë udhëtuar me automjetin Audi me targë AA700XH, në drejtim të fshatit Larushk. Pasi kanë mbërritur në banesë, kur po zbrisnin nga automjeti, para hyrjes kryesore të shtëpisë, persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda në oborr dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tyre, ku ka gjetur vdekjen Ramazan Sino, si dhe janë plagosur dy nipat e tij.

Në oborrin e banesës me avlli të lartë, janë gjetur 24 gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm, një predhë e dëmtuar, në murin e banesës dhe murin rrethues të avllisë janë konstatuar dëmtime në formë vrime të shkaktuara predhat e fishekëve të armëve të zjarrit. Shtetasit të ndaluar i janë marrë faktorë plotësues të qitjes me tampon magnetik standard nga të dyja duart. Në tamponin me të cilin janë marrë mbetje në dorën e majtë të Valter Bamit, u evidentua prania e një mikrogrimce e vetme me prejardhje nga lënda mbushëse e kapsollës së fishekut të armëve të zjarrit në dorën e majtë.

Ne tamponin tjetër objekt ekspertimi me te cilin janë marre mbetje nga dora e djathtë nuk u evidentuan mikrogrimca të tilla. Nga kontrolli i banesës së shtetasit Valter Bami më datë 4.7.2023, ka rezultuar se në banesë nuk janë gjetur sende të kundërligjshëm. Ndodhur në këtë situatë, në kushtet kur ekzistonte rreziku që shtetasi Valter Bami t’i fshihej drejtësisë dhe vepra penale për të cilën dyshohej parashikon dënim deri në shtatë vjet burgim, është proceduar me lëshimin e urdhrit të ndalimit të tij!

Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori, rezulton se: Me cilësinë e prokurorit të gatshëm kam regjistruar procedimin penal nr. 4217 të vitit 2023 për hetimin e veprave penale të ‘Mbajtjes së armëve luftarake në ambiente publike’ të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe ‘Vrasjes në rrethana cilësuese’ (të paktën një episod i mbetur në tentative) të parashikuar nga neni 79 (gërma ‘dh’) të Kodit Penal. Më datë 06.07.2023 është urdhëruar regjistrimi i emrit të personit nën hetim shtetasin Valter Bami, si person i dyshuar i dyshuar për veprën penale të ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal'”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Dyshimet

Policia ndonëse jo zyrtarisht bëri me dije se bashkë me Valter Bamin u shoqëruan në polici edhe dy persona të tjerë të cilët ndodheshin në shoqërinë e tij, por u liruan pas marrjes në pyetje. Vëllai i Durim Bamit u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Tiranës pasi mikroskopi elektronik evidentoi shenja të barutit në kyçin e dorës së majtë të administruara direkt më shoqërimin menjëherë pas ngjarjes së 4 korrikut.

Prova konsiderohet e rëndësishme për grupin hetimor, ndërsa përgjigja e ekspertizës së armëve dhe gëzhoja është me interes po ashtu. Atentati që besohet se kishte si objektiv Gentian Bejtjen ndodhi 15 ditë pasi hyri në rrugë ilegale brenda vendit. Ai i shpëtoi plumbave pasi dyshohet se zbriti nga makina pak minuta para se agresorët të shkrehnin kallashnikovët drejt makinës ku ndodhej kunati me fëmijëve të tij të mitur të cilët tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Si pasojë e konflikteve të krijuara ndër vite, Bejtja i ka shpëtuar më parë dy atentateve dhe njihej si person me precedent penalë në të kaluarën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco