EMRAT/ Dhuna shtazarake, Rrajat dalin para gjykatës

EMRAT/ Dhuna shtazarake, Rrajat dalin para gjykatës

10:16, 09/07/2023
A+ Aa A-

4 nga të arrestuarit e fisit Rraja për dhunën ndaj dy kushërinjve të fisit Maja në Fushë-Krujë, dalin këtë të diel në orën 11:00 për tu njohur me masat e sigurisë para Gjykatës së Tiranës.

Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja, ishin të parët që u ndaluan nga policia më datë 07 korrik, për veprat penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, ‘Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit’, ‘Moskallëzimi i krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës’.

Pas tyre, të shtunën policia shoqëroi edhe 4 persona të tjerë që u identifikuan nga pamjet filmike si të përfshirë në aktet e dhunës. Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim edhe 6 persona të tjerë.

Përkatësisht në kërkim janë Xhelal Rraja, Rexhep Rraja, përkatësisht vëllai dhe djali i deputetit Rrahman Rraja që akuzohem nga policia si organizator, Flamur Rraja gjithashtu vëllai i deputetit socialist të dorëhequr, Klajdi Rraja.

Po kështu, në vazhdim të veprimeve hetimore dhe kqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht shtetasit Edison Meta dhe Përparim Rraja, duke e çuar në 6 numrin e personave të shpallur në kërkim.

Këta persona kanë goditur me sende të forta dhe kërcënuar me armë shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja, mbi një konflikt të nisur për dëmet që pretendonin dy viktimat e sulmit që ishin bërë nga punimet e gurores së vëllezërve Rraja në fshatin Borizanë.

Sa i përket kësaj guroreje, orët e para të mëngjesit të sotëm Policia e Shtetit njoftoi bllokimin e aktiviteti të subjektin gurore ‘Delia Group’, me administrator Viktor Delia. Veprimet erdhën pas inspektimeve me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.

Pas këqyrjes së sipërfaqjes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj, u vendos bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e instancave përgjegjëse. Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje. Specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave objekt këqyrje.

Pamjet e rënda të ngjarjes së ndodhur brenda një lokali në rrugën Fushë-Krujë-Thumanë sollën edhe ngjarje me rëndësi në Tiranë, dorëheqjen e deputetit socialist Rrahman Rraja dhe shkarkimin me firmë të kryeministrit të Bledi Çuçit, nga funksioni i ministrit të Brendshëm, duke i paraqitur presidentit propozimin e Taulant Ballës në këtë funksion.

Rrahman Rraja doli me një komunikatë për mediat, ku bëri me dije dorëheqjen, duke kërkuar ndjesë ndaj viktimave të sulmit të dy vëllezërve dhe djalit të tij, si dhe duke thënë për këtë të fundit që e ka turpëruar teksa i bën apel të dorëzohet.

Ndërkohë shkarkimi i Çuçit erdhi pas një takimi që ky i fundit pati për më shumë se 5 orë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullakun.

Ky i fundit vendosi këtë fundjavë të shkrijë gjithë kupolën drejtuese në Komisariatin e Krujës, dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj është caktuar drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.

Policia e Shtetit iu bëri thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të ngjarjes, që të dorëzoheshin tek autoritetet me paralajmërimin se çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco