VIDEO/ Shqipëria si Kolumbi/ Me shotgun duke ruajtur parcelën e kanabisit

10:41, 08/07/2023
A+ Aa A-

Këto pamje nuk vijnë nga Kolumbia apo Ekuadori, por nga Shqipëria në mes të Europës, ku kultivimi i kanabisit ka njohur hov për shkak të zgjedhjeve.

Një parcelë kanabisi është zbuluar në Malësi të Madhe, ndërsa është shpallur në kërkim një 51-vjeçar, i cili është filmuar nga policia duke ruajtur serën i armatosur. Në pranga kanë rënë tre persona të tjerë, ndërsa janë asgjësuar 161 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. 

Në kuadër të operacionit policor të koduar “ZOOM”, u arrestuan shtetasit Gjergj Dragani, Florjan Gjerkaj dhe Luli Gjerkaj. U shpall në kërkim Lek Kokaj.

NJOFTIMI ZYRTAR

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të kontrollit të territorit dhe të megaoperacionit “Alpe të Pastra”, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kutivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, kanë zhvilluar operacionin policor me metoda proaktive, të koduar “ZOOM”. 

Gjatë operacionit të zhvilluar në fshatin Ivanaj, njësia administrative Kastrat, bashkia Malësi e Madhe, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

Gj. D., 51 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim; 

F. Gj., 35 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Përkrahja e autorit të krimit; 

L. Gj., 70 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. 

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. K., 51 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. 

Bazuar në informacionet e siguruara se në territorin e fshatit Ivan, në një zonë të pyllëzuar, ishin kultivuar bimë narkotike, Policia referoi materialet në Prokurori, e cila regjistroi procedimin penal. 

Në kuadër të këtij procedimi penal, u siguruan prova nëpërmjet pajisjeve inteligjente, ku shfaqej shtetasi L. K. (tashmë i shpallur në kërkim), i cili ruante një parcelë ku ishin kultivuar 161 bimë narkotike kanabis dhe vadiste bimët narkotike, në bashkëpunim me shtetasit Gj. D. dhe F. Gj. 

Shtetasi L. Gj. kishte djeni për rastin dhe nuk ka kallëzuar krimin, pasi në pronën e tij  kalonte tubi i ujit që përdornin shtetasit e lartpërmendur, për të vaditur bimët narkotike.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, ndërkohë që vijon puna kërkimore për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco