Dyshime se ndodhej në banesë, policia kontrolle në shtëpinë e Aleksandër Lahos, i njohur si ‘Rrumi i Sukthit’

Dyshime se ndodhej në banesë, policia kontrolle në shtëpinë e Aleksandër Lahos, i njohur si ‘Rrumi i Sukthit’

10:22, 07/07/2023
A+ Aa A-

Aksion në Durrës. Policia ka zhvilluar ditën e djeshme kontrolle në banesën e Aleksandër Lahos alias Pellumb Muharremit, i  njohur ndryshe si ‘Rrumi’. Ky i fundit ishte në kërkim , dhe kishte dy urdhër arreste, një nga Prokuroria e Durrësit dhe një nga SPAK. Gazetarja Klodiana Lala tha për ‘BalkanWeb’ se aksioni për kontrollin e banesës së tij është marrë pas sinjalizimeve se i shumëkërkuari ‘Rrumi’ ndodhej në shtëpi.

Ndërkohë theksohet se është shoqëruar i vëllai, Vullnet Muharremi, por më pas është lënë i lirë. Sakaq gjatë aksionit është kapur një person me armë pa leje dhe më pas është arrestuar.

Rrumi është një personazh shumë i përfolur për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërkohë që emri i tij u përmend edhe gjatë atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji. Aktualisht Laho është shpallur në kërkim, ndërkohë që policia po vijon kontrollet për ekzekutimin e urdhrit të SPAK.

Më herët emisioni ‘Në Shenjestër’ pasqyruar me detaje për mënyrën se si operonte në Durrës organizata kriminale e drejtuar nga Aleksandër Laho.

Durrësi, ku grupet kriminale rrotullohen si hiena rreth tij, për të kafshuar çtë mundin nga qyteti që ka shumë ç’të ofrojë për këto organizata, por ku preja e tyre më e preferuar duket se është lakmia për tokat në bregdet, konkretisht në Gjirin e Lalzit apo dhe Hamallaj..
Ku ashtu si në rastin e fundit të Lezhës, ku SPAK ka nisur të japë verdiktet finale në atë që quhet organizata më e madhe kriminale në tjetërsimin dhe përvetësimin e tokave në bregdet, edhe Durrësi duket se nuk do ti shpëtojë një hetimi të hollësishëm, se si këto banda kanë mundur të shtijnë në dorë Kadastrën e qytetit dhe nga aty, të tjetërsojnë me qindra kartela pasurie në bregdet.

Një nga personazhet në krye, të të gjithë kësaj afere, është Aleksandër Laho, i cili më herët mbante emrin Pëllumb Muharremi, personazh me rekorde të shumta kriminale, i shumëpërfolur për atentatin që iu bë atij dhe prokurorit Arian Ndoji, më 1 Nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit.
Aty ku mbetën edhe vetë të plagosur rëndë, por ku ai që humbi jetën ishte Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoji.
Emri i ‘Rrumit’, që kishte qenë i përfshirë më herët edhe në rrahjen ndaj biznesmenit libanez Faadi Mitri, i cili u dhunua barbarisht në shtator të vitit 2016, në sy të bashkëshortes dhe të vajzës së tij.

Por që nuk do të vononte të dilte sërish në skenë, në pengmarrjen që iu bë vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, në autostradën Tiranë-Durrës, më 2 Tetor 2022.

Pengmarrje, e cila shpejt përfundoi në rrëfimet e vëllezërve, që hapi për drejtësinë edhe arkivin e një sërë vrasjesh të ndodhura në aksin Tiranë-Durrës në vitet e fundit.
‘Rrumi’, që ka zgjedhur të arratiset për t’i shpëtuar drejtësisë, që para se emri i tij të lakohej për ngjarjen e fundit në autostradë, ka një hetim të hapur në SPAK ndaj tij, në akuzën për ‘korrupsion aktiv të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike’.
Hetim që siç do të shikoni edhe më poshtë tregon edhe fytyrën e vërtetë mizore dhe të pamëshirshme të krimit, që pasi të mbërthen në darën e vet, dhe të korrupton, të detyron të zbatosh urdhërat e tij. Ky duket se ishte edhe fati i keq i Irgen Kërçukut.

Një drejtuesi vendor në Durrës, i Avokaturës së Shtetit, i cili siç del nga dosja hetimore e siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, pasi u korruptua nga ‘Rrumi’ dhe banda e tij, në përfundim të të gjithë aferës së tij me këtë bandë, u dhunua fizikisht nga këta të fundit.
E gjithë kjo histori u zbulua pas atentatit që grupet rivale i bënë më 1 Nëntor 2019, prokurorit Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumi’, në mbikalimin e Shkozetit.

Fill pas atentatit, gjatë ekspertimit teknik telefonit të Rrumit, grupi hetues mundi të sigurojë nga aparati telefonik i këtij të fundit, foto dhe video të cilat përmbanin dokumente kadastrale, që lidheshin me toka bujqësore si edhe troje.
Në aktin e marrjes të pandehur të shtetasit Aleksandër Laho, i njohur si ‘Rrumi’, të datës 10 Qershor 2022, ky procedim penal është regjistruar kryesisht mbi bazën e akteve të përftuara nga ekspertimi i aparatit telefonik të sekuestruar në ngjarjen e datës 1 Nëntor 2019, ku është vrarë me armë zjarri Andi Maloku dhe është tentuar të vriten Arjan Ndoji dhe Aleksandër Laho.

Gjatë ekspertimit teknik kompjuterik të aparatit telefonik të shtetasit Aleksandër Laho, konstatojmë se janë përftuar foto dhe video të cilat paraqesin dokumente që lidhen me toka bujqësore dhe toka truall si: Akte të marrjes së tokës në pronësi, çertifikata për vërtetim pronësie, kartela të pasurive dhe harta treguese të regjistrimit të pasurive, të cilat siç ka provuar hetimi i deritanishëm ndodhen në fshatin Lalëz, Durrës.

Por ky ekspertim i telefonit të ‘Rrumit’ do të ishte vetëm maja e ajsbergut, të asaj se çfarë fshihej pas sulmit me armë dhe lidhjeve të tij me zyrtarë të fuqishëm vendor, qoftë edhe në drejtësi.
Siç ishte miqësia e tij me prokurorin Ndoji, që sot ndodhet pranë shkarkimit nga detyra, pasi kalimit në procesin e Vettingut.

Pasi dy video të zbuluara në aparatin telefonik të ‘Rrumit’, do të tregonin për grupin hetues, se rrjeti i të korruptuarve në administratën shtetërore që bashkëpunonin me hir apo me pahir me të, do të ishte shumë më i gjerë.

Nga kqyrja që iu bë aktit të ekspertimit të aparatit telefonik të shtetasit Aleksandër Laho, gjithashtu u identifikuan dy video të cilat përmbajnë pamje të cilat krijojnë bindjen se jemi para një akti korruptiv të kryer nga të paktën tre persona.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco