Operacion në Gjermani, arrestohen 7 mbështetës të ISIS, ndër ta edhe shqiptarë

Operacion në Gjermani, arrestohen 7 mbështetës të ISIS, ndër ta edhe shqiptarë

18:14, 31/05/2023
A+ Aa A-

Prokuroria Federale gjermane ka arrestuar shtatë mbështetës të dyshuar të organizatës terroriste “Shteti Islamik”. Të pandehurit janë kryesisht të nacionalitetit gjerman, por edhe kosovarë, marokenë dhe turq, njofton Deutsche Welle.

Shtatë mbështetës të dyshuar të milicisë xhihadiste "Shteti Islamik" (IS) janë arrestuar në disa Lande federale gjermane. Siç bën të ditur Prokuroria Federale në Karlsruhe, kontrollet u kryen edhe në dhjetë lande.

U mobilizuan më shumë se 1000 vetë nga Zyra Federale e Policisë Kriminale, zyrat rajonale të policisë gjyqësore dhe policia. Në tërësi, ata kontrolluan më shumë se 100 objekte në Berlin, Bavari, Bremen, Baden-Vyrtemberg, Hamburg, Hessen, Rheinland-Pfalz, Turingi, Saksoni e Ulët dhe Rin i Veriut-Vestfali, si dhe në Holandë. Bëhej fjalë për një rrjet financimi të IS.

Aktivitetet terroriste mbështetur me donacione?

Sipas raportimeve, katër nga arrestimet u zhvilluan në landin Rin i Veriut-Vestfali, një tjetër në Baden-Vyrttemberg, Rajnland-Pfalz dhe Bremen. Tre meshkuj dhe katër femra akuzohen nga Prokurori i Përgjithshëm për mbështetje të një organizate terroriste. Të pandehurit janë kryesisht të nacionalitetit gjerman, por midis tyre ka edhe kosovarë, marokenë dhe turq.

Ata besohet se janë përfshirë në rrjet si ndërmjetës financiarë. "Duke mbledhur donacione dhe duke ia kaluar IS-it, ata luajtën një rol kryesor brenda rrjetit të financimit”, thuhet në deklaratë. Ata akuzohen se kanë inkurajuar aktivitetet terroriste të ISIS përmes donacioneve.

Burrat dhe gratë duhet të paraqiten te gjyqtari hetues i Gjykatës e Lartë Federale gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte. Ajo do të vendosë nëse ata duhet të kalojnë në paraburgim. Hetuesit akuzojnë të pandehur të tjerë se kanë paguar para në rrjetin e financimit në favor të IS.

Janë mbledhur të paktën 65 mijë euro

Që nga viti 2020, dy mbështetës të IS-it kanë nxitur transferime parash nga Siria përmes shërbimit online Telegram, tha zyra e Prokurorit Federal. "Ndërmjetësuesit financiarë u përfshinë në rrjet, mblodhën fonde dhe vunë në dispozicion llogaritë apo fonde të donacioneve digjitale.” Paratë e mbledhura do t'u ishin transferuar anëtarëve të IS në Siri ose ndërmjetësve të caktuar prej tyre - të paktën 65000 euro në tërësi.

Sipas raportimeve, pagesat janë përdorur për të forcuar ISIS. "Fondet u përdorën veçanërisht për të përmirësuar kushtet e furnizimit për anëtarët e grupit të ndaluar në kampet Al-Hol dhe Roj në veri të Sirisë”, shpjegoi zyra e Prokurorit Federal. "Pjesërisht, fondet u mundësonin të burgosurve të arratiseshin ose të dilnin kontrabandë nga kampet."

Gratë e kthyera nga IS

Fushatat në rrjetet sociale me tituj si "Motra jote në kamp” kanë nisur prej disa vitesh. Ata synojnë të mbështesin financiarisht gratë e IS që kanë jetuar me fëmijët e tyre në Siri që nga disfata ushtarake e milicisë terroriste, veçanërisht në kampin Al-Hol të kontrolluar nga grupet kurde.

Ka pasur rregullisht informacione për gra, fëmijë dhe adoleshentë që ende ndjehen të lidhur me IS dhe të cilët janë nxjerrë kontrabandë nga kampi në këmbim të pagesës së shumave të mëdha parash. Në mesin e dhjetëra grave të IS që janë kthyer në Gjermani vitet e fundit, disa janë arrestuar dhe gjykuar pas mbërritjes. Disa prej tyre mbërritën në Gjermani përmes operacioneve të riatdhesimit nga Siria me fëmijët e tyre, të tjerët u dëbuan ose janë kthyer vetë.

Ministri Federal i Drejtësisë Marco Buschmann përshëndeti bastisjen në të gjithë vendin: "Ne po veprojmë me vendosmëri kundër terrorizmit islamist," shkroi politikani i FDP në Twitter.

Që nga fillimi i janarit 2014, në përputhje me Kodin Penal, veprimet e kryera nga anëtarë ose mbështetës të IS-it, shtetas gjermanë, të cilët banojnë në Gjermani ose kryejnë veprimtari atje, mund të jenë objekt i ndjekjes penale. Përveç kësaj, më 12 shtator 2014, Ministria e Brendshme nxori një ndalim të aktivitetit të IS në Gjermani.

Kjo përfshin, ndër të tjera, çdo pjesëmarrje në mediat sociale dhe demonstrata në favor të IS-it dhe çdo lloj akti të mbështetjes si mbledhje të parave dhe materialeve si dhe rekrutimin e luftëtarëve. Këto akte tashmë janë të dënueshme./tagesschau

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco