INVESTIGIMI/ Bizneset shqiptare preferojnë punëtorë të huaj Pradeep Kumar, punonjës indian në Shqipëri

INVESTIGIMI/ Bizneset shqiptare preferojnë punëtorë të huaj

12:08, 27/04/2023
A+ Aa A-

“Tirana është e bukur. Shqipëria ka njerëz të mirë dhe më pëlqen mënyra juaj e jetesës”,- kështu nis rrëfimin për “Sinjalizo”, Pradeep Kumar, 40-vjeçar nga India, i cili prej muajsh punon në industrinë e ndërtimit në Tiranë. Sipas tij, Shqipëria ofron kushte më të mira punësimi se vendlindja e tij në këtë sektor.

“Këtu punohet normalisht, pa presion apo kritika. Inxhinierët sillen mirë me punëtorët”,- tregon ai, duke shtuar se ardhja dhe punësimi në Shqipëri është realizuar në mënyrë ligjore.

Ndërkohë për 20-vjeçarin nga Turqia, Umut Çomak,  Shqipëria është një vend i mirë për të marrë eksperiencë, por jo për të jetuar gjatë.

“Në Elbasan punoj në një laborator dentar”,-tregon Çomak duke shtuar,-“dua të nis dhe universitetin këtu në Shqipëri, por pas disa vitesh, kur të kem kryer studimet për laborant dentar, dua të punoj në Gjermani apo diku tjetër në Perëndim”.

Qindra punëtorë nga Lindja në sektorë të ndryshëm

Kreu i Shoqatës së Fasonerisë, Edvin Preçe, thotë për “Sinjalizo” se “sektori i manifakturës aktualisht ka rreth 20 000 vende të lira pune”.

“Përfaqësues dhe bizneset tona anëtare janë të fokusuar tek punonjësit nga vende si Nepali dhe Filipinet,”- shprehet ai, duke pohuar se në sektorin e manifakturës “aktualisht janë mbi 350 punonjës që kanë muaj që punojnë këtu”.

Kumrie Zika, eksperte e punësimit, tregon për “Sinjalizo” se vendi ynë po mirëpret punonjës nga Lindja në sektorë të ndryshëm.

“Jam në proces rekrutimi të punëtorëve në fushën e bujqësisë, fasonerisë, në fushën e ndërtimeve, gurore dhe pas dy muajsh do jetë e finalizuar”, – thotë ajo.

Zika specifikon për “Sinjalizo”, se në cilët sektorë janë të punësuar shtetasit e huaj në Shqipëri.  “Në bujqësi po drejtoj fillimisht personat nga Sri Lanka, pasi e di që janë persona që punojnë në fshatra sidomos me bimët medicinale, kanë dije dhe në blegtori”,-tregon ajo. “Për kërkesat në restorante jam e fokusuar në Nepal, sepse e njohin kulturën familjare, njohin detyrat e punës dhe kanë eksperiencë në atë që bëjnë. Kjo është e mirë si gjë pasi kanë eksperienca të mira në Dubai dhe Katar në këtë fushë dhe shërbimi i tyre dallon nga një indian apo fililipinez”,- thotë ajo.

Punëtorë të huaj, përse janë të nevojshëm?

“Nevoja jonë për punëtorë të huaj ka lindur që në 2019-n dhe aplikimet e para kanë filluar që në këtë vit, por duke marrë parasysh që pandemia ndërpreu çdo lidhje me pjesë të tjera të botës, atëherë dhe një eksperiencë e tillë u ndërpre”,- thotë për “Sinjalizo” Florian Zekaj, koordinator i “Pro Export Albania”, duke shtuar se “menjëherë pas pandemisë u mor edhe njëherë aty ku kishte ngel situata dhe filluam të kishim eksperiencat e para”.

Sipas tij, arsyeja kryesore përse punëdhënësit në këtë fushë u drejtohen punonjësve të huaj është kërkesa për të rritur ndërmarrjet.

“Kërkesa për të zmadhuar ndërmarrjet tona është e madhe dhe pas pandemisë u theksua më shumë kjo kërkesë, sepse klientët tanë për shumë arsye filluan të heqin dorë nga Kina, India, Bangladeshi për arsye që ne tashmë i dimë: largësia, bllokimi i kontratave e të tjera”,- thotë Zekaj.

Image

Florian Zekaj, koordinator i “Pro Export Albania”

Me gjuhën e shifrave, Preçe tregon se sektori i manifakturës gjatë vitit 2022 ka qenë mjaft i suksesshëm. “Sektori ka mbajtur trendin e rreth 40% të të gjitha eksporteve ‘Made in Albania’ me rreth 650 milion euro faturim dhe në total me gjithë lëndën e parë tejkalon 1 miliard euro”,- thotë ai.

Ndërkohë ekspertja e punësimit, Kumrie Zika tregon për “Sinjalizo” vështirësitë se punonjësit nga vendet aziatike kanë për t’u pajisur me vizë punë në vendin tonë.

“Do të ishte shumë mirë nëse shteti ynë do të na liberalizonte vizat me këto vende, përmes institucioneve shtetërore për ta bërë më të lehtë dhe procesin tonë të rekrutimit, që dhe punonjësi të vijë në kohë”, – thotë ajo, duke shtuar se janë të shumta kërkesat e bizneseve për staf në sektorin e turizmit.

“Vlora po vuan për punëtorë. Saranda dhe Durrësi, gjithashtu. Nuk mund të presin të gjithë procesin e gjatë për të marrë lejen e punës, u duhen t’i kenë punëtorët e të nisin punën,”- përfundon Zeka.

Përse po ikin punëtorët shqiptarë?

Për Pradeep Kumar, largimi i punëtorëve shqiptarë lidhet ngushtë me mungesën e investimeve në sektorin e industrisë.

“Ju keni diell gjatë gjithë kohës, por përsëri jeni të varur nga importet. Përse? Mundësitë janë,”- thotë ai, gjatë bisedës duke shtuar se “qeveria duhet të ndihmojë me të ardhura investitorët shqiptarë që të mund të hapin industri të ushqimit, veshmbathjes, biznese të ndryshme. Përse të shkojnë në një vend tjetër kur mund të rrinë këtu?”- përfundon Kumar.

Ndërkohë, sipas Preçe problematika është më e thellë, pasi “nga statistikat e fundit po shohim që shteti po vuan për kuadro të mirëfilltë, edhe në sektorë të tjerë.  Nuk ka më rigjenerim punonjësish me forca te reja dhe rritja e pagave  aspak nuk ka ndikuar për mirë në këtë aspekt”,- thotë ai, duke shtuar,- “mendoj se kjo problematikë është me karakter global”.

Gjithashtu, për Preçen është e nevojshme që shteti shqiptar “të bëjë politika emergjente, reale, zhvilluese për sektorët eksportues”.

“Strategji rrënjësore, sektori nuk ka parë dhe as iniciativa, asnjëherë. Besoj se kemi nevojën dhe pjekurinë që ky sector(manifaktura) të transformohet në prodhues të mirëfilltë, por mungesa e likuiditetit që kanë bizneset për të rinovuar impiantet prodhuese dhe automatizuar, çertifikimet, trajnimet e punonjësve  dhe promovimi në panaire ndërkombëtare, bëhen të pamundura pa mbështetjen e qeverisë”,- përfundon Preçe.

Jo vetëm nga punët, shqiptarët po heqin dorë dhe nga nënshtetësia

1903 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për të hequr dorë nga shtetësia shqiptare gjatë periudhës janar 2020- nëntor 2022. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur për “Sinjalizo” edhe faktin se në të njëjtën kohë është rritur ndjeshëm aplikimi i shtetasve të huaj për t’u pajisur me nënshtetësi shqiptare.

Gjatë harkut kohor të dy viteve, 2020-2021, numri total i të huajve që kanë aplikuar për shtetësinë shqiptare është 1034, ndërkohë që vetëm në harkun kohor të janar-nëntor të vitit që lamë pas kanë aplikuar 1370 shtetas.

Ndërkohë institucioni i Presidencës me anë të përgjigjes së kërkesës për informacion bën të ditur se “Numri i shtetasve që kanë marrë shtetësinë shqiptare gjatë periudhës 2020-2021: 1050 shtetas. Numri  i shtetasve që kanë marrë shtetësinë shqiptare janar 2022- nëntor 2022: 355 shtetas”,- thuhet  në përgjigjen e Presidencës./Sinjalizo

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco