'Piranjat'/ Të shkosh në burg sepse ke shtruar rrugën!

22:39, 21/04/2023
A+ Aa A-

Banorët e Kurjanit, Bashkia Roskovec, të lodhur nga dëmtimet dhe vështirësitë e rrugës kryesore të pa shtruar dhe ku ata kalojnë çdo ditë, kanë vendosur ta rregullojnë vetë atë rrugë. IMT Roskovec ka shprehur shqetësimin për shkeljen e rëndë të ligjit në këtë rast dhe sipas drejtueses së këtij institucioni, dy personat që kanë kontribuar në shtrimin e kësaj rruge janë me prapavijë të dyshuar politike. Por, çfarë mendimi kanë banorët e zonës?

Në një vend normal të zhvilluar, që i përket qyteterimit modern, askush nuk mund të ndërtojë pa leje. Qoftë edhe rrugën copë copë, në të cilën kalohet cdo ditë. Kjo pasi shteti ka plane afatgjata, ka strategji, ka gjithashtu dhe largpamësi. Siç ndodh edhe në Roskovec, ku bashkia e këtij qyteti, ka një projekt të rëndesishëm për asfaltimin e rrugës kryesore të Kurjanit, një fraksion rreth 4 km nga qendra.

Por jo të gjithë i zbatojnë ligjet dhe rregullat e rrepta të shtetit. Banorët e këtij fshati tregojnë se hodhën vetë çakull sepse rruga ishte e pakalueshme, por kjo ‘shkelje e rëndë’ e ligjit, nuk mund të kalonte pa u zbuluar nga bashkia e cila kishte ide krejt të tjera për këtë rrugë. Askush nuk mund të shpenzonte lekë nga xhepi për të përmirësuar cilësinë e saj. Aq më tepër këta ‘fshatarë’ që janë mësuar me rrugë të pashtruara.

Po cila ishte shkelja? Kryeinspektorja e IMT-së Roskovec tregon se kanë shkelur ligjin, për më tepër se hedhja e çakullit në rrugën plot baltë të fshatit, mund të ketë qartazi një prapavij֝ politike. Ndërkohë, vetë banorët pohojnë se ka ardhur policia dhe madje tregojnë edhe emrat e dy personave që kanë shtruar rrugën. Ata janë identifikuar dhe le të marrin dënimin e merituar për krimin e kryer. Por banorët e mendojne ndryshe: ‘Duheshin falenderuar ata që e shtruan dhe jo të kallëzoheshin në polici.’

Duket qartë se këta njerëz nuk kuptojnë aspak se projektet strategjike të Bashkisë së Roskovecit, nuk mund të pengohen nga persona të papergjegjshëm që shpenzojnë lekët e tyre për të dëmtuar të ardhmen e Kurjanit.

Kryeinspektorja nuk ia ja futur kot kur është shprehur se çakulli i hedhur ka prapavijë politike. ‘Ne jemi demokratë’- është shprehur një banore. Por nejse. Ligji ligj e burgu burg për kriminelet e çakullit. Tani çfarë do bëhet me rrugën? Do mbetet ashtu, me atë çakullin parazit të hedhur padrejtësisht apo do ketë një projekt konkret? Bashkia e bëri premtimin gjithsesi. Ne vitin 2023 në rrugën e Kurjanit në Rroskovec, do të nderhyhet. Por deri atehëre, banorët nuk duhet të guxojnë të hedhin ndonjë lopatë çakull në të gjithë gjatësinë e saj. Në të kundërt, në burg e kanë vendin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco