'Piranjat'/ Kisha e Laçit përballë tregtarëve abuzivë, prifti bën lutjen: Largojini, kanë fjalor rruge

21:31, 21/04/2023
A+ Aa A-

Kisha e Laçit është një prej objekteve të kultit më të rëndësishëm në vendin tonë. Njerëzit e frekuentojnë atë me shpresën dhe besimin për të gjetur paqe, harmoni dhe për realizimin e dëshirave të tyre. Padër Prelë Gjurashaj, frati superior i Kishës, ka kërkuar ndihmën e ‘Piranjat’ në lidhje me situatën aktuale në këtë objekt kulti.

‘Kemi një problem madhor me tregtarët abuzivë. Ata futen me forcë brenda territorit të Kishës dhe hapin tezgat e tyre duke e kthyer në një treg të mirëfilltë. Zënë parkingun me mallin dhe makinat e tyre dhe shesin. Kemi tentuar ti largojmë me të mirë, por nuk pranojnë. Rojet tona të sigurisë u thonë se nuk mund të qëndrojnë këtu, por nuk e marrin parasysh. Të përdorim forcën na duket e palogjikshme, sepse nuk mundemi. Kanë një fjalor rruge dhe shesin madje dhe sende magjie. U kam bërë thirrje të gjithë institucioneve, nuk e kanë marrë parasysh. Nuk kanë vullnet për ta zgjidhur’, shprehet frati.

Padër Prela ka të drejtë, mjafton të bësh një xhiro në parking për të kuptuar situatën. Ndërkohë që këndvështrimi i tregtarëve është i ndryshëm: ‘Nuk duan të na lënë të shesim. Prifti do të shesë te dyqani i tij dhe të na heqë ne. Nuk ka fëmijë për të mbajtur. Jemi gati të paguajmë taksat dhe të gjitha, por nuk duan të na lënë. Prifti do t’i marrë paratë dhe t’i çojë në Mal tëZi’ (Padër Prela është shqiptar i Malit të Zi).

Duke parë situatën që i ngjan një tregu më tepër zaptues, pasi shesin qofte dhe birra në oborrin e kishës, duket se shpresa janë institucionet. Së bashku me drejtuesin e sigurisë së kishës ‘Piranjat’ i janë drejtuar Policisë së Laçit të cilët janë pritur nga drejtuesit kryesorë të komisariatit që na shpjegojnë se pse nuk ka zgjidhje.

‘Situata duhet të marrë zgjidhje nga drejtuesit e sigurisë që kanë marrë për sipër ruajtjen e territorit të Kishës. Ne kemi vepruar dhe kemi bërë edhe shoqërime’. Në këtë pikë drejtuesi i rojeve private të Kishës deklaron se nuk është e vërtetë dhe se: ‘Policia vjen kot, nuk bën punën. Ata të marrin fytyrën. Nuk mund të merresh me ata gratë’.

Për të vendosur pikat mbi ‘i’ duket se e ka marrë iniciativën një oficer tjetër i cili thotë: ‘Nuk është problemi ynë. Ne kemi bërë shoqërime, por Prokuroria mbyll hetimet, mbyll çështjen. Bashkia nuk na ka ndihmuar, ajo duhet t’i japë zgjidhje situatës. E kanë për detyrë’.

Pas këtij ping pongu institucional ‘Piranjat’ i drejtohen Bashkisë Laç dhe atje i  pret Gjergj Mhilli, drejtori i Policisë Bashkiake, që ka një këndvështrim shumë interesant: ‘Nuk mund të ndërhyjmë. Nuk na lejon ligji dhe nuk mund ta shkelim. Bashkia ka menduar një treg alternativ, por s’ka fonde.’

Me sa duket vullneti nuk ekziston, prandaj çojmë sytë lart, me shpresën se Zoti të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco