Dy policët e infiltruar zbuluan dy grupet e drogës në gjimnaze. Prokuroria zbardh bisedat dhe kodet

Dy policët e infiltruar zbuluan dy grupet e drogës në gjimnaze. Prokuroria zbardh bisedat dhe kodet

09:00, 24/03/2023
A+ Aa A-

Pjesëtarët e grupit kriminal që u arrestuan të mërkurën në Tiranë gjatë operacionit “Harta”, të cilët shpërndanin lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe kanabis, kishin kodet e tyre të komunikimit për të mos rënë në sy, jo vetëm në komunikimet verbale, por edhe në celular.

Disa nga kodet që ata përdornin ishin ‘vëllai i madh’, ‘vëllai i vogël’ dhe ‘pluhur zane’ referuar kokainës apo ‘seqe’ referuar kanabisit që korrespondojnë me lëndën narkotike që ata shpërndanin. ‘Vëllai i madh’ dhe ‘vëllai i vogël’ lidhet me sasinë e kokainës që do të shpërndahej nga personat e përfshirë. Policia dhe Prokuroria ka administruar dhjetëra telefonata për të siguruar fillimisht deshifrimin e kodeve dhe më pas sigurimin e provave për veprimtarinë kriminale.

Zona kryesore e shpërndarjes, sipas burimeve, ishte rreth e përqark gjimnazit “Petro Nini Luarasi” dhe lokaleve. Një pjesë e mirë e anëtarëve të grupeve ishin më herët të skeduar, por për shkak të mungesës së provave nuk ishin arrestuar. Gjatë javëve të fundit, përmes një bashkëpunimi të frytshëm me Prokurorinë u bë e mundur vënia e tyre në përgjim dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale.

Gjykata e Tiranës dha dje masat e sigurisë për 10 nga personat e arrestuar. Jurgen Hasmataj, Altin Lani, Armaldo Xheladini, Dorjano Çela, Fabian Qoku, Muharem Tarushi, Denis Idrizi, Erion Xhaxho, Polikron Shabani dhe Redi Lolaj janë lënë në burg, ndërkohë 10 të arrestuarit e tjerë do të njihen me masën e tyre të sigurisë, ditën e sotme.

Episode përgjimesh të zbardhura

Në dosje, Prokuroria bën me dije se ka shumë episode përgjimesh, ku protagonistë janë të infiltruar nga Policia. Dy agjentë të antidrogës ‘Oni’ dhe ‘Reno’ që u infiltruan në rrjetin e shpërndarësve të drogës në Tiranë, i dhanë goditje bandës së ndarë në dy grupe, që vepronte në lokale nate dhe në shkolla. Sipas të dhënave hetimore, Dorjano Çela është një nga shitësit e kokainës, arrestuar të mërkurën gjatë operacionit “Harta”.

Çela është përgjuar duke biseduar me klientin me pseudonimin ‘Reno’, që në këtë rast është një agjent antidroge i infiltruar. Dorjano Çela po shet mall, kokainë, të një cilësie shumë të mirë, të paktën referuar reklamës që i bën “klientit”. Referuar dosjes, për ndarjen e lëndës narkotike në doza, autorët përdornin kryesisht banesat e tyre, në të cilat mbanin sasitë e drogës dhe një pjesë të parave të fituara nga shitja. Porositë, thuhet në dosje, i marrin fizikisht ose me celular. Zakonisht i telefonojnë porositësit, i njohur prej tyre, por u përgjigjen edhe personave të panjohur që u prezantohen si lidhje shoqërore të të njohurve të tyre.

Si vend takimi lënë kryesisht vende afër shtëpive të tyre, por sipas rastit shkojnë edhe aty ku ndodhen përdoruesit duke përdorur makinat shpeshherë të marra me qira. Për të dokumentuar në mënyrë të plotë aktivitetin kriminal, Policia infiltroi dy persona për blerjen e simuluar të drogës, “Onin” dhe “Renon”, të cilët përveç blerjes regjistruan gjithçka në audio. Armando Xheladini drejton lokalin “Boleros Club” në Tiranë dhe shet kokainë duke përdorur kamerieret e lokalit, por edhe vetë, thotë Prokuroria. Bazuar në këto të dhëna ai u vendos në përgjim dhe më pas brenda lokalit, “Oni”, i infiltruar, bleu te kamerieri Marjo Gallushi kokainë, i cili nuk pranoi të ulte çmimin me arsyetimin se ishte vetëm punëtor.

Kujtojmë përmes një operacioni të gjerë në të gjithë Tiranën, dy grupe kriminale që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike janë goditur si pasojë e një operacioni antidrogë të Policisë së Tiranës. Grupet kriminale funksiononin pa një strukturë drejtuese, duke përdorur mesazhe të koduara me njëri-tjetrin. Ndërsa për shitjen e lëndës narkotike ata organizoheshin nëpër automjete të transportit publik me qëllim që të mos binin në kontrollet e Policisë. Kokaina dhe heroina shiteshin në lokalet e natës, ndërsa kanabisi shitej pranë shkollave, kryesisht pranë gjimnazeve ku klientë kryesorë ishin nxënësit. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 milionë lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete dhe 29 aparate celulare.

Bisedat me të infiltruarit

Një episod i shitjes së drogës në Tiranë në dosje është ai i datës 2 shkurt 2023, kur i infiltruari i Policisë me emrin e koduar “Reno” kërkon të blejë kanabis te njëri prej të arrestuarve, Dorjano Çela.

Biseda mes tyre është përgjuar:

Dorjano Çela: Mall Holande mo lale, smaj gjo të keqe un mor burr.

Reno: E1 (nji) të vogël ta myllim sot vllai

Dorjano Çela: Po mor kur të doj…

Reno: Ore kshu je gjith ditën e?

Dorjano Çela: Po, po

Përmbajtja e transkriptuar e veprimit të blerjes se simuluar me datë 2 shkurt, ora 21:10, si me poshtë vijon për interes për hetimin:

Reno: Më ke dal fiks

Dorjano Çela: Hë zemra ca do më thoshe

Reno: Jo mo e se ne marrim një çik si shum, kshu çdo ditë Një tjetër episod i trafikut të drogës në dosje tregon një moment kur njëri prej të infiltruarve të Policisë me emrin e koduar ‘Reno’ komunikon me trafikantët dhe kërkon kokainë.

“Në datën 27.01.2023, rreth orës 22:55, në rr. ‘Myslym Shyri’, Tiranë, bazuar në autorizimin për blerje të simuluar personi i autorizuar me emrin e koduar ‘Reno’, kreu blerjen e simuluar të një doze me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, shtetasit Fabian Qoku.

Pasi u bë sekuestrimi lëndës të dyshuar narkotike të llojit kokainë, u bë peshimi dhe rezultoi me peshë të përgjithshme me ambalazh 0.4 (zero katër) gram e cila më pas u fut në qesen provave me Nr.UNIK. A3005319. Prova materiale e siguruar nga blerja e simuluar u dërgua për ekspertim kimik në Institutin e Policisë Shkencore. Veprimi i blerjes së simuluar u krye me regjistrim video dhe audio”, thuhet në dosje.

Biseda e transkriptuar

Reno: Ça bëhet

Fabian Qoku: Dëgjo se një me ngeli mu se i hoqa se ti të lajmëro në fund o vlla

Reno: E s’ke mo fare?

Fabian Qoku: Skam me vete duhet me ik me mor.

Reno: Do t’vish prap

Fabian Qoku: Okej, po vi. Në një moment tjetër është një person me emrin e koduar “Oni”, i cili është i infiltruar i Policisë, që lejohej të blinte nga një prej të akuzuarve Mahrem Tarushi lëndë narkotike të llojit kokainë. Në dosje jepet përgjimi i komunikimit mes tyre.

Oni: 0 Remo

Mahrem Tanushi: Në këmbë erdhe amon, mqafsh mu

Oni: Po ça ke bo? A dalim anei? Ca bohet si ke qenë?

Mahrem Tanushi: Hiç me, mirè, ja në shpi, ça do bëjmë … (nuk kuptohet) me vdekshin robt mè

Oni: Posa do ma japesh?

Mahrem Tanushi: 55 pra, aq e jep Nori qafsha të gjithë, me vdekshin robtë Oni: Eme vari lesht, ça ke bo ti?

Mahrem Tanushi: Ca të bëjmë Oni: Po s’ke numër ti lale?

Mahrem Tanushi: Po mshkruaj në facebook mo burr.

Oni: Në ‘Facebook’ nuk të shkruj unë, se e ka nusja.

Mahrem Tanushi: Po s’ka gjë, pra, ik se flasim e takona.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco