Shitje droge ‘sa për të ngrënë bukë’/ Trafikanti: Me e përzi ke leverdi

Shitje droge ‘sa për të ngrënë bukë’/ Trafikanti: Me e përzi ke leverdi

16:48, 23/03/2023
A+ Aa A-

Shpërndarësit e drogave të forta në doza të vogla në disa zona të kryeqytetit, të arrestuar nga operacioni i koduar ‘Harta’ janë peshkuar nga agjentë të infiltruar, që iu janë prezantuar si përdorues droge.

Bisedat e bëra gjatë blerjeve të simuluara të drogës janë regjistruar në audio dhe video nga grupi i hetimit. Referuar dosjes hetimore, të dyshuarit siguronin kokainë, heroinë e kanabis nga persona të paidentifikuar dhe më pas i ndanin në doza të vogla. Porositë për dozat i merrnin kryesisht në telefon. Përveç të njohurve në telefon iu janë përgjigjur edhe personave të panjohur, që iu prezantoheshin si lidhje shoqërore të të njohurve të tyre.

Në një nga bisedat e përgjuara, i arrestuarit Fabian Qoku diskuton me blerësin se ia vlen t’i shtojë përzierës, duke i thënë ‘ktu ke leverdi’. ‘Dalin, dmth mirë kpt sa me hongër bukë a kupto, jo se do bëj milionat’, i thotë blerësi. Me tej, i arrestuari Quku i thotë që ‘unë me dash e boj gjys për gjys, po nuk e kam në karakter’.

Në një bisedë tjetër, ku blerësi i lavdëron mallin të arrestuarit Dorjano Çela, ky i fundit i përgjigjet ‘Mall Holande mo lale, s’maj gjo të keqe unë mor burrë’.

Këtë të enjte dhjetë nga 20 të arrestuarit e operacionit ‘Harta’ dolën para Gjykatës së Tiranës, që caktoi për ta masën e sigurisë ‘arrest në burg’, shkruan A2 CNN.

Në operacionin e finalizuar me 20 të arrestuar dhe 4 të shpallur në kërkim  u sekuestruan 2.1 kg kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash në gati 500 mijë lekë në total, 1700 euro, 11 automjete dhe 29 aparate celulare.

Pjesë nga biseda

Qoku: ‘Hë vllai, mos më thuaj pa lekë amon. Se kam produkt tetshe, është super’.

Agjenti: ‘Jo, nuk e vej në diskutim’.

Pasi agjenti i propozon t’i shesë lëndë narkotike ‘me shumicë’ në mënyrë që ai ta rishesë, Qoku i tregon kushtet.

Agjenti: ‘A filloj dot unë me ty a si?’

Qoku: ‘Varet ça do me bo, duhet me fol ça do me bo’.

Agjenti: ‘Kshu me ble’

Qoku: ‘Po, por unë s’e jap, e jap shtrenjtë vllai se është gjo e mirë. Ti ça do me bo, do me e përzi?’

Agjenti: ‘Jo me jo, po me punu pak’.

Qoku: ‘Nuk ke leverdi’.

Agjenti: ‘Po me e përzi sa shkon?’.

Qoku: ‘Me e përzi, nëntëdhjetë shkon. Këtu ke leverdi

Agjenti: ‘Dalin domethënë mirë, kupton, sa me hëngër bukë, jo se do të bëj milionat’.

Qoku: ‘Del super fare se është gjë që e mban, është e pastër. Bie fjala do marrësh katërqind e ca mijë lekë, do i nxjerrësh tetëqind’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco