485 kg kokainë/ Njerëzit e zyrtarit të Ramës hapën zjarr mbi agjentët

485 kg kokainë/ Njerëzit e zyrtarit të Ramës hapën zjarr mbi agjentët

10:14, 11/03/2023
A+ Aa A-

Gjatë operacionit ku u kap 485 kg kokainë në banesën e zyrtarit të Edi Ramës, ka pasur edhe incidente me armë

Rreth 4 muaj nga operacioni me disa të arrestuar mes të cilëve ish-kryekomunari i Frakullit më Fier, Viktor Çervanaku, detaje të reja zbardhen për herë të parë.

Burime konfirmojnë se gjatë kohës që agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ato të Policisë së Shtetit në koordinim me SPAK dhe DEA-n amerikane, ndodheshin në terren duke survejuar perimetrin dhe gjurmuar përgjegjësit, ka pasur të shtëna me armë zjarri.  Prej kohësh para se të bëhej ndërhyrja, agjentët civilë ishin zhvendosur në terren, “i vështirë për ta, për shkak se bëhej fjalë për një zonë rurale ku gjithkush njihej, dhe banorët apo vetë personat që merreshin me aktivitetin kriminal, mund të krijonin dyshime”, thonë burime që ishin të angazhuara në operacion.

Dhe kështu ndodhi. Çervanakët konstatuan lëvizjet e dyshimta, dhe në një moment është hapur zjarr me armë në drejtim të agjentëve për shkak se kanë dyshuar se janë në rrezik. Pas 15 minutash është vendosur të ndërhyhej për shkak se drejtuesit e operacionit kanë arsyetuar se në të kundërt mund të rrezikohej jeta e agjentëve apo operacioni të dështonte.

Disa prej tyre u kapën në flagrancë, ndërsa disa persona të tjerë arritën të largoheshin, mes tyre, kimisti kolumbian Zamir Rodriguez. Edhe për këtë të fundit, bëjnë të ditura burime konfidenciale, ka pasur disa episode brenda ditës, ku në fund iu ka shpëtuar efektivëve të policisë.

Atij iu bë sinjalizim të ndalonte nga Policia Rrugore, me argument kontroll rutinë pranë qytetit të Lushnjes, por ai nuk është bindur, duke u larguar me shpejtësi. Më pas, për herë të fundit është lokalizuar në zonën e Vorës, dhe pasi është futur pranë në një zonë rurale pranë lumit të Gjolës, ka humbur çdo kontakt pamor.

Ndërkohë, ende nuk ka asnjë përgjigje nga dy letër-porositë që janë nisur nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me operacionin e Frakullit. Letër-porositë janë nisur drejt Malit të Zi dhe Kolumbisë, teksa nga kjo e fundit edhe ishte nisur ngarkesa me plehra kimik, brenda të cilës ishte fshehur edhe kokaina.

Përveç Viktor Çervanakut, bashkë me të në pranga përfundoi edhe i vëllai Zeneli, djali i tij Denilsoni dhe e fejuara e këtij të fundit Enxhi Ferhati. Gjithashtu u arrestuan edhe Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (Kodra), Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi e Marildo Rona. Disa nga këta të fundit u kapën në Tiranë, në tentativë për të kryer një ekzekutim.

Hetimet u drejtuan nga prokurori i SPAK, Adnan Xholi, teksa operacioni është konsideruar si nga më të suksesshmit, pavarësisht se ende nuk janë siguruar prova të mjaftueshme, për të shkuar tek kokat e trafikut të drogës me Kolumbinë, që dyshohet të jenë personazhe të njohura të botës së krimit.

Zenel Çervanaku rezulton administrator i një shoqërie tregtare të themeluar në fillim të vitit të kaluar, me aktivitet për tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme, me adresë në Tiranë. Por nuk ka dyshime se qëllimi kryesor ka qenë pikërisht aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, teksa emrat dhe pronësitë e saj, si dhe llojet e aktivitetit tregtar kanë ndryshuat disa herë, duke vështirësuar gjurmimin e aktivitetit.

Ndërkohë, kujtojmë se gjatë operacionit të nëntorit të vitit të kaluar, përveç kokainës, për të cilën u deshën rreth 3 muaj që të përcaktohej pesha e saj, u sekuestruan  15,910 Euro, 6 armë zjarri, 108 fishekë, 18 aparate celularë, 5 automjete, 2 laptopë, 2 armë gjahu etj. DEA amerikane ishte agjencia që dha sinjalizimin e ngarkesës që kishte 3 muaj që lëvizte nga njëri port në tjetrin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco