Lajmi i fundit

LIVE/ Punimet e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë

'Marrëdhënie ortakërie me mafian italiane'/ Prokurori i Antimafias: Shqiptarët përmbytin Europën me kokainë

'Marrëdhënie ortakërie me mafian italiane'/ Prokurori i Antimafias: Shqiptarët përmbytin Europën me kokainë

18:19, 06/03/2023
A+ Aa A-

Nga problemet me drejtësinë, marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, personazhet e krimit apo edhe trafikimi i lëndëve narkotike.

Gazetari i Top News, Thimi Samarxhiu ka zhvilluar së fundmi një intervistë me Prokurorin e Drejtorisë së Antimafias në Bari, Francesco Giannella.

Giannella ka dhene detaje gjate interviste se meposhmte.

Intervistë e plotë:

 Z. Giannella, ju falenderoj shumë që gjetët kohë për këtë intervistë për televizionin shqiptar. Është një nder për ne të kemi këtë intervistë me ju.

-  Faleminderit juve.        

Pyetje: Atëherë, le të flasim për Shqipërinë, për lidhjet që Italia dhe italianët e shqiptarët kanë me njëri-tjetrin, por nuk mund të shmangim lidhjet e kriminalitetit shqiptar dhe atij italian. Si kanë ndryshuar këto lidhje në vite, midis Italisë dhe Shqipërisë?

Përgjigje: Unë jam marrë prej shumë vitesh me marrëdhëniet ndërmjet kriminalitetit shqiptar dhe organizatave puljeze, i ndjek këto histori prej të paktën pesëmbëdhjetë vjetësh ose ndoshta edhe më shumë. Kanë ndryshuar, në kuptimin që në fillim ishin shumë më, si të themi, më artizanale këto marrëdhënie, e më tej janë zhvilluar më shumë, sepse ka ndodhur një rritje e organizatave kriminale shqiptare dhe italiane në botë, jo vetëm në Itali, dhe në këtë moment marrëdhëniet janë shumë të ngushta, nuk ka një marrëdhënie vartësie i njërit nga tjetri, por është një marrëdhënie i një aleance të përbashkët, në njëfarë mënyre. Pulja është vendi i parë i zbarkimit, natyrisht, i të gjitha trafiqeve të mëdha, sidomos i marihuanës, që vijnë nga Shqipëria, kështu që është e qartë që ka qenë e nevojshme një marrëveshje me organizatat puljeze. Por është një marrëveshje që i sheh këto role në evolucion, nuk janë gjithmonë konstante. Përsa i përket pastaj Rrethit të Barit, i cili përfshin provincën e Barit, të Tranit dhe të Foxhës, ka ndodhur një zhvendosje nga jugu në drejtim të veriut, i pikave të zbarkimit, sepse sa herë që zhvilloheshin operacione për t’i luftuar ato, drejtuesit vendosnin të ndryshonin udhën dhe të shkonin gjithmonë e më shumë në drejtim të veriut. E kështu, Pulja ka filluar me zbarkimet e para të lëndëve narkotike në Salento, më pas është ngjitur në provincën e Barit, e më pas u zhvendos në jug të provincës së Foxhës, me zbarkimet në zonën e Garganos. E më pas janë kryer zbarkime në të gjithë bregdetin e Adriatikut, edhe në Marke, gatë viteve të kaluara, kështu që ka një aftësi përshtatjeje nga ana e organizatave, të cilat, në fakt, u janë kushtuar edhe gjërave të tjera, me kalimin e viteve, kanë zhvilluar rrjetin e tyre, ato kanë filluar me heroinën, në vitet dymijë, le të themi. E më pas, ndodhi rritja e madhe e trafiqeve të marihuanës, e ndërkaq ekziston edhe biznesi i madh i kokainës, por ka një udhë krejt tjetër.

Pyetje: Por, kur flitet për marihuanën, thuhet se ato ishin vite të arta për kriminelët nga Shqipëria që sillnin marihuanën, ndërsa tani thuhet se është pakësuar. Është e vërtetë apo jo që është pakësuar sasia e marihuanës që mbërrin nga Shqipëria?

Përgjigje: Duke parë sekuestrimet tona, duket se po. Ka pasur vite kur ne kemi sekuestruar tonelata marihuane dhe më pas ky trend ra disi. Ndërkohë që u rrit ai i kokainës, i cili, natyrisht, nuk ka të bëjë fare me zbarkimet, por që e ka prejardhjen pothuajse tërësisht nga Europa e Veriut, Hollanda, le të themi, ose nga Spanja, por përsa na përket neve, sidomos nga Hollanda.

Pyetje:Po lidhjet e shqiptarëve edhe përsa i përket udhës së kokainës, si janë, domethënë janë ende po ata që e komandojnë, e drejtojnë, këtë udhë të kokainës?

Përgjigje: Përsa u përket marrëdhënieve me klanet puljeze, mund të themi se kanë një rol paksa më të lartë, domethënë, janë ata që i menaxhojnë trafiqet e mëdha. Por më tej kanë nevojë për pika referimi në territorin tonë, përsa i përket më pas menaxhimit të tregut në territor. Dhe kështu, edhe gjatë zhvillimit të hetimeve të tjera, ne kemi pasur të dhëna të sigurta në referim me praninë e subjekteve shqiptare, duke filluar nga Hollanda, e duke përfunduar te trafiqet e kokainës deri në Itali. Kemi pasur edhe rastin e një vrasjeje të kryer në Amsterdam, të një italiani nga një italian tjetër, në lidhje me trafiqe kokaine që e kishin prejardhjen nga Amsterdami, ku janë të përfshirë, në njëfarë mënyre, edhe klanet shqiptare dhe, mbi të gjitha, ato kolumbiane, që nga fillimi.

Pyetje: Ia kam bërë këtë pyetje edhe Prokurorit Cafiero De Raho dhe ai më ka thënë se po. Për ju, ekziston mafia shqiptare, si term mafie shqiptare, apo është një kriminalitet i organizuar?

Përgjigje: Ne nuk kemi ende një proces në të cilin të jetë deklaruar vepra penale që ne e quajmë 416 bis. Ka pasur një përpjekje, para shumë vjetësh, për të zhvilluar hetime të këtij lloji, por që nuk ka dhënë rezultate. Le të themi se ne tani, nga pikëpamja e fakteve të sigurta gjyqësore, e konsiderojmë kriminalitetin shqiptar si një kriminalitet që i është përkushtuar trafiqeve ndërkombëtare të lëndëve narkotike, domethënë ai që për ne i referohet nenit 74.

Pyetje: Pavarësisht neneve, nga ajo që ju shikoni, mund të thuhet se...

Përgjigje: Mund ta themi mbi bazën e një vendimi gjyqësor. Për aq kohë sa nuk do të kemi një vendim, nuk mund të themi që kriminaliteti shqiptar është i tipit mafioz. Nuk mund ta themi këtë, as nuk mund ta përjashtojmë.

Pyetje: Përsa i përket evolucionit të kriminalitetit shqiptar, këto ditë cili është fokusi më i madh i kriminalitetit shqiptar këtu në Bari, përvec kokainës, po prostitucioni ekziston sërish apo jo?

Përgjigje: Nuk merrem me prostitucionin, le të themi se sektori im nuk merret me këtë cështje, kështu që nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Ndërsa përsa i përket kriminalitetit shqiptar në Pulja, e në Bari në mënyrë të vecantë, ai i është përkushtuar gjithmonë trafiqeve të lëndëve narkotike, por po e përsëris, në kanalin e dyfishtë, marihuana nga Shqipëria dhe kokaina nga Europa e Veriut. Evolucionet janë ndjekur sidomos në hetimet që ne kemi zhvilluar me kolegët shqiptarë, me të cilët kemi disa skuadra të përbashkëta hetimore, me anën e të cilave përpiqemi të ndjekim udhët e trafikut drejtpërdrejt nga Shqipëria, ende përpara se të mbërrijnë në Shqipëri. Dhe, në këtë kuptim, marrëdhëniet e bashkëpunimit me SPAK-un janë të një rëndësie themelore. Do të thosha se kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve të fundit.

Pyetje: Po, janë të paktën tri operacione që unë mbaj mend, KULMI, SHEFI dhe SHPIRTI. Tri operacione këto, falë të cilave kanë përfunduar në burg shumë personanë Shqipëri dhe në Itali. Por nga të gjitha këto operacione, vihen re lidhjet, sepse në një nga këto operacione është arrestuar madje edhe një prokuror. Domethënë, lidhjet, nga ajo cka ju shikoni dhe keni arkivuar, keni dokumentuar, lidhjet, pra, që kanë policët e korruptuar, prokurorët e korruptuar, por edhe të tjerë, a janë të forta?

Përgjigje: Ne u kemi sinjalizuar autoriteteve shqiptare disa gjëra që ishin shfaqur gjatë hetimeve tona. Ua kemi sinjalizuar atyre, u kemi dërguar kopje të dokumetacionit, kopje të përgjimeve, nga të cilat shfaqeshin, si të thuash, dyshime shumë të rënda kundrejt disa personave që duhej të përfaqësonin institucionet. E më pas, mbi këtë, kanë proceduar autoritetet gjyqësore shqiptare, të cilat kanë vepruar. Prandaj, ekzistencën e këtyre lidhjeve ne e kemi dalluar, e kemi kapur në njëfarë mënyre gjatë hetimeve tona, ajo që ka ndodhur do të jetë më pas detyrë e autoriteteve gjyqësore të përcaktohet. Kështu që ne presim të marrim dijeni nëse provat tona më pas kanë dhënë rezultate në Shqipëri, ne nuk mund të procedojmë në Itali personazhe publike shqiptare, nuk ndodh kjo. Kjo ndodh në Shqipëri, edhe falë hetimeve tona, kështu që do të shohim se cfarë do të ndodhë në proceset që do të zhvillohen në Shqipëri.

Pyetje: Por, a keni besim, në kuptimin që, po jua bëj pyetjen në lidhje me faktin që ju i keni dërguar informacionet, para disa vjetësh Prokuroria rezervohej me dërgimin e informacioneve në Shqipëri, pasi kishin frikë mos këto bëheshin publike dhe përgjegjësit ia mbathnin. Ju tani e keni krijuar besimin tek autoritetet në Shqipëri?

Përgjigje: Po, gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar shumë gjëra. Marrëdhëniet me kolegët shqiptarë, me prokurorët e SPAK-ut, në mënyrë të vecantë, janë bërë të shkëlqyera, ne punojmë shumë mirë së bashku. Shpresojmë që të mund të vazhdojmë të punojmë kështu. Në të kaluarën kanë qenë ca vjet kur ekzistonte një mosbesim i madh. Është paksa sic ndodh gjithmonë në marrëdhëniet ndërkombëtare ndërmjet autoriteteve gjyqësore, në fillim ekziston gjithmonë një ndjenjë dyshimi, frike, fliten gjuhë të ndryshme, jo vetëm në nivel gjuhësor, por edhe pikërisht si mendësi të ndryshme. Dhe ka pasur disa vjet kur këto marrëdhënie nuk arrinin të përftonin rezultate, madje përkundrazi, nganjëherë kemi pasur edhe dyshime se trafikantët e mëdhenj, kapot e mëdhenj, arrinin t’ia hidhnin përherë, të shpëtonin paq, dhe natyrisht kishte dyshime se ekzistonin fenomene korrupsioni, favorizimi. Tani gjërat kanë ndryshuar, sidomos gjatë tre vjetëve të fundit dhe rezultatet janë të shkëlqyera. Natyrisht, ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Frika, pra frika e korrupsionit, ekziston gjithmonë. Por kjo ekziston në cilindo vend të botës, jo se në Shqipëri mund të jetë ndryshe, mund të jetë më shumë apo më pak. Mund të ketë një pjekuri kulturore, një prirje më të madhe drejt ligjshmërisë, le të themi, por proceset demokratike, proceset e ligjshmërisë, janë procese të gjata.

Pyetje: Është perceptimi që ka në Shqipëri që, përvec SPAK-ut, presim gjëra të mëdha nga SPAK-u. Kanë kaluar tre vjet dhe nuk kemi parë asnjë politikan të korruptuar të arrestuar. Dhe, nga kjo anë, domethënë, njerëzit, shohin nga ju, nga partnerët tanë, nga Italia, nga Shtetet e Bashkuara, nga partnerët tanë që na ndihmojnë, shohin shpresën që ju të na ndihmoni, si në rastin e operacionit SHPIRTI, të prokurorit të treguar atje. Shohin nga ju shpresën që të mund të gjenden dhe të tregohen personazhet e korruptuar. Është një përgjegjësi kjo për ju?

Përgjigje: Po, po, është një përgjegjësi, sepse ndërkohë ne jemi vërtet shumë afër, ky fakt që ne ndodhemi vërtet shumë afër, ja, kaq afër nga deti, në njëfarë mënyre na bën të lidhur, përjetësisht të lidhur. Ne jemi shumë të interesuar për faktin që në Shqipëri ka një zhvillim demokratik, një zhvillim të ligjshmërisë, i cili të na shpjerë më tej edhe në një rrugëtim të përbashkët, mbase në kuadrin e Bashkimit Europian. Ne të gjithë urojmë që Shqipëria të arrijë të futet në Bashkimin Europian. Dhe pastaj, unë besoj se e ardhmja do të jetë që Shqipëria do të ecë me këmbët e veta, domethënë do të arrijë me forcat e veta edhe të zbulojë personazhet e korruptuara dhe t’i dënojë ata. Do ta bëjë këtë gjë dhe, nëse do të jetë e nevojshme, ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë kërkim me anën e hetimeve tona, por do të duhet të ketë gjithmonë një bashkëpunim. Bashkëpunimin e bëjnë njerëzit, institucionet, sic thonë shumë vetë, ecin mbi këmbët e njerëzve. Njerëzit duhet të jetë ata të duhurit dhe duhet të jetë ata që kanë gjithë qëllimet e mira për të bashkëpunuar dhe duhet të jenë të besuar. Në qoftë se ky bashkëpunim do të vazhdojë, do të arrijmë rezultate të mëdha, besimi do të rritet, edhe te popullsia shqiptare, që shpresoj, mbas pak vjetësh, nuk do të ketë më nevojë as për italianët, as për amerikanët, për të gjetur njerëzit e vet të korruptuar. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, për ta bërë këtë, duhen mjetet.

Pyetje: Mjetet? Cilat janë mjetet?

Përgjigje: Mjetet janë, mbi të gjitha, mjetet teknologjike, për shembull. Unë di që në Shqipëri, për shembull, mungojnë mjetet për të zhvilluar hetime depërtuese, si edhe për të kryer përgjime, përgjime mjedisore, përgjime telematike. Sot për sot, kjo veprimtari hetimore ka një rëndësi themelore. Përgjimet telefonike nuk shërbejnë më pothuajse për asgjë, le të themi të vërtetën.

Pyetje:Ka programe...

Përgjigje: Ka programe, ekzistojnë të gjitha rrjetet sociale që mund të përdoren, edhe për të zhvilluar biseda. Kështu që, në qoftë se nuk zotërohen aftësitë dhe mundësitë teknike për të zhvilluar këto veprimtari hetimore, nuk mund të shkohet në asnjë drejtim.

Pyetje: Dhe pikërisht për këtë që hyni ju në lojë, në kuptimin që shqiptarët besojnë dhe shpresojnë tek ju. Kjo është pika ku ju hyni në lojë.

Përgjigje: Dhe shpesh ka ndodhur kjo, domethënë që duke zhvilluar hetime paralele midis nesh dhe jush, ne shpesh kemi përdorur teknologjitë tona, kemi më shumë mjete dhe kemi arritur të mbledhim më shumë prova në lidhje me veprat penale që janë kryer në Shqipëri. Nëpërmjet skuadrave të përbashkëta hetimore, puna që ne bëjmë mund të përcillet në Shqipëri dhe anasjelltas, puna që behet në Shqipëri mund të përdoret te ne. Por do të uronim që edhe nga ana tjetër e Adriatikut të bëhet një përpjekje ekonomike, pikërisht, edhe për të investuar më shumë në teknologjinë hetimore, në përgatitjen e policisë, në vartësinë e sistemit gjyqësor dhe policisë.

Pyetje: Ja, këtu le të ndalemi pak, te vartësia, sepse flitet shumë për trysninë, ndikimin që politika ka mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Si mund të mbarojë kjo, si mund të shmanget ndikimi i politikës mbi prokurorët?

Përgjigje: Jo, unë nuk mund të shprehem...

Pyetje: Jo, mundeni në kuptimin që ekziston një model që...

Përgjigje: Një model është ai i pavarësisë së magjistraturës italiane, por që është një model që duhet mbrojtur, sepse edhe në Itali ka shtysa, në mënyrë që...

Pyetje: Politika do që ta ketë gjithmonë në dorë situatën...

Përgjigje:  Në qoftë se, le të themi kështu, është në interesin e dikujt që pavarësia e magjistraturës ta humbasë fuqinë. Pavarësia e magjistraturës ka vlerë kushtetuese, duhet afirmuar te ligjet, por më pas duhet të konkretizohet me anën e veprimeve të përditshme, cdo ditë. Modeli ekziton, ai i magjistraturës italiane të pavarur, i cili nuk është një model i përhapur në botë. Por duhet pasur kujdes, edhe në vendet perëndimore nuk është se magjistratura hetimore e pavarur është një model që ekziston gjithandej. Pra, kujdes, ekziston magjistratura gjykuese e pavarur, porse magjistratura hetimore, domethënë prokuroritë, shpesh nuk janë krejtësisht të tilla. Dhe, natyrisht, nëse prokurorët nuk janë krejtësisht të pavarur, por varen nga Ministri i Drejtësisë, nuk ka asnjë garanci që hetimet të jenë hetime jo të politizuara. Kështu që modeli, ai aktual, i magjistraturës italiane, në të cilin edhe prokuroritë gëzojnë garancitë e pavarësisë që gëzojnë edhe gjyqtarët.

Pyetje: Ju kuptoj. Duke u kthyer paksa mbrapa, në lidhje me bashkëpunimin midis jush dhe prokurorëve të SPAK-ut, nuk di nëse e keni parë, është zgjedhur drejtuesi i ri i SPAK-ut, Dumani, e njihni?

Përgjigje: Jo, nuk e njoh.

Pyetje: Është një prej anëtarëve, funksionon kështu, është një prej anëtarëve që zgjidhen. Por cfarë mund të bëhet për të shtyrë edhe më shumë bashkëpunimin me SPAK-un dhe me aktorët e tjerë në Shqipëri, pra cfarë mund të bëjmë, ne dhe ju, më shumë?

Përgjigje: Ne mund të japim vetëm besim dhe të ofrojmë kontributin tonë. Dhe të shpresojmë që hyrja, që ideja e hyrjes në Bashkimin Europian ta shtyjë të gjithë Shqipërinë që të përpiqet të gjejë zgjidhje për këto probleme.

Pyetje: Përse flisni gjithmonë për Bashkimin Europian? Cfarë hyn këtu Bashkimi Europian?

Përgjigje: Jo, nuk është se hyn Bashkimi Europian. Por Bashkimi Europian vendos disa kushte. Për t’u futur në Bashkimin Europian ti duhet të paraqesësh disa garanci, për shembull atë të pavarësisë së magjistraturës, ose garanci, si të thuash, një sërë garancish që Bashkimi Europian pretendon në mënyrë që një vend të hyjë në Bashkimin Europian. Kjo duhet të bëhet, duhet të ndiqet kjo udhë, edhe ajo e diplomacisë, por unë nuk shtyhem në fusha që nuk më përkasin. Diplomacia duhet të bëjë punën e vet.

Pyetje: Ok. Zoti Prokuror, kam edhe nja dy-tri pyetje të fundit. Duke folur për hetimet, për cështjet tashmë të mbyllura, cfarë keni parë ndonjë gjë që ju ka bërë më shumë përshtypje te kriminaliteti shqiptar, që nuk mendonit se do të arrinte deri në atë pikë, ndonjë gjë të re që nuk e prisnit?

Përgjigje: Ajo që mua personalisht më ka bërë më shumë përshtypje nga kriminaliteti shqiptar ka qenë aftësia e tij për t’u përhapur në shumë vende të botës, me një shpejtësi të pabesueshme. Domethënë, ne jemi nisur nga një vizion, si duhet ta them, i miqve shqiptarë, si ai i anijes “Vlora”, e cila mbërriti në Bari në vitin ’91 më duket, dhe kemi arritur tani, mbas edhe jo aq shumë vjetësh, po ta mendojmë, te një rrjet ndërkombëtar trafikantësh, i cili shtrihet në të gjithë Europën, shtrihet në Amerikën e Jugut, shtrihet në Ishujt Spanjollë, në ato Baleare, pra, me të vërtetë një aftësi e madhe sipërmarrëse, një aftësi për të parë... për të cilën ne kemi admirim, këtë e them nga ana ime, sigurisht. Por është një habi, në kuptimin që brenda pak vjetësh rrugëtimi që ka përshkuar ka qenë  shumë i shpejtë. Po ashtu, edhe aftësia për të krijuar marrëdhënie me grupe të mëdha kriminale në botë, me prodhuesit e mëdhenj të kokainës, për shembull. Ka siguri, tashmë, për praninë e subjekteve shqiptare në Amerikën e Jugut, të cilët menaxhojnë në mënyrë të drejpërdrejtë, personalisht, disa trafiqe të rëndësishme të kokainës. Këtë rritje, si mund të thuash, në Itali, ndoshta vetëm Ndrangheta e ka arritur, sikurse edhe në të kaluarën mafia siciliane. Grupe të tjera kriminale nuk kanë arritur të bëjnë kaq shumë rrugë brenda kaq pak kohe. Kjo është gjëja që më ka habitur më shumë. 

Pyetje: Dhe në fund, Zoti Prokuror, mund të më thoni tri mesazhe që ju mund t’ua jepni së pari kolegëve tuaj prokurorë? Cilat janë mesazhet që ju u përcillni atyre?

Përgjigje: Mesazhi është ai që duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë ashtu sikurse kemi bërë në këto tre-katër vitet e fundit. Të mos bëjmë hapa mbrapa. Po të bëjmë hapa mbrapa, do të kthehemi në kohën kur nuk flisnim midis nesh, për fat të keq, dhe kjo nuk do të ishte mirë. Le të shpresojmë se do të vazhdojmë në vazhdën e marrëdhënieve që kemi pasur gjatë këtyre viteve të fundit.

Pyetje:Ju ka ndodhur të mos flisni?

Përgjigje: Në të kaluarën, po. Në të kaluarën, mua po. Mua personalisht, po. Kini parasysh që tanimë jam goxha në moshë, kështu që ka pasur edhe vite të vështira marrëdhëniesh me kolegët shqiptarë. Kanë qenë vite në të cilat nuk ekzistonte as edhe ideja më e vogël që mund të zhvillonim hetime të përbashkëta. Ishte shumë, shumë e vështirë një gjë e tillë, në mos e pamundur. Po të donim të ktheheshim në ato vite, do të ishte një katastrofë. Por unë jam i sigurt që kjo nuk do të ndodhë.

Pyetje: Një mesazh për të gjithë ata policë, magjistratë të korruptuar, të cilët punojnë dhe ndihmojnë kriminalitetin.

Përgjigje: Që tradhtojnë popullin e tyre, kjo është tradhtia më e madhe. Domethënë, kush ushtron një detyrë publike, një polic, një magjistrat, një administrator publik, ka besimin, do të duhej të kishte besimin e njerëzve. Në Kushtetutën tonë është shkruar se kush mbulon një funksion publik duhet ta bëjë këtë me dinjitet dhe nder. Dinjiteti dhe nderi janë vlera që nuk mund të shiten për pak para, madje as edhe për shumë para. Është njëlloj sikur një baba të tradhtonte të birin, apo njëlloj sikur një bir të tradhtonte një baba. Kështu që kush ushtron një funksion publik, duhet ta bëjë atë me cdo kusht, me dinjitet, me nder dhe me ndershmëri.

Pyetje: Dhe një mesazh të fundit për të gjithë shqiptarët, për popullin shqiptar, i cili, sikurse e thashë më përpara, shikon tek ju mënyrën për t’i dhënë fund apo për t’ë dhënë një shtysë në luftën kundër korrupsioni, në luftën kundër kriminalitetit që është rritur me pushtetin në Shqipëri. Pra, mesazhi për shqiptarët.

Përgjigje: Shikoni, kjo është një cështje shumë komplekse, sepse edhe te ne ekziston ky problem, jo të gjithë i denoncojnë veprat penale që dinë se ekzistojnë, jo të qytetarët e denoncojnë veprën penale të zhvatjes, jo të gjithë e denoncojnë edhe korrupsionin, për të cilin janë në dijeni, pra, jo të gjithë qytetarët e bëjnë këtë. Nëse qytetarët nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të thotë se nuk kanë besim tek institucionet, sepse, për shembull, mendojnë se nuk do të zgjidhet asgjë, apo edhe më keq, sepse kanë frikë nga pasojat që mund të kenë. Kështu që, një hap i parë është ai që institucionet duhet të fitojnë besimin, duhet ta bëjnë këtë. Dhe kështu qytetarët do të fillojnë të kenë besim tek institucionet, do të jenë edhe më të gatshëm që të denoncojnë gjërat që shohin apo ndaj të cilave janë viktima. Kështu pra, t’ia fillosh nga popullsia nuk është e lehtë. Të mendosh që një qytetar i thjeshtë të mund të denoncojë një magjistrat të korruptuar apo një politikan të korruptuar nuk është e lehtë.

Pyetje: Ka pasur raste gazetarësh që kanë denoncuar, që e kanë bërë një gjë të tillë në Shqipëri. Pra, gazetarët e kanë bërë, kanë dërguar një hetim, një dokument, në Prokurori, në lidhje me magjistratët e korruptuar.

Përgjigje: Duhet pasur ky guxim, duhet pasur ky guxim. Në Itali dikush e ka pasur këtë guxim, shumë e kanë pasur. Sot kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, sepse para nja dhjetë vjetësh edhe te ne ishte kështu, domethënë, nuk është se ne jemi ndryshe. Kemi bërë një rrugëtim më të gjatë demokracie, kështu që edhe në Shqipëri duhet bërë ky rrugëtim demokracie, por shembullin e mirë duhet ta japin institucionet. Shembullin e mirë. Qytetarët duhet të luftojnë dhe duhet të gjejnë personin e duhur të cilit t’i drejtohen atëherë kur zbulojnë dicka që duhet denoncuar.

Pyetje: Të gjejnë personin e duhur...

Përgjigje: Po, të gjejnë personin e duhur nuk është dicka e lehtë kjo, por nëse duken, gazetat, gazetarët, kanë një detyrë të madhe, një mision të madh, që është t’i japin zë kujt nuk ka guxim. Kështu pra, ju mund të bëni shumë. Ju pra, që përfaqësoni ata njerëz që nuk kanë fuqinë për të folur, mund ta bëni ju këtë, mund të bëni ju shumë në këtë kuptim.

Pyetje: Zoti Prokuror, ju falenderoj shumë! Qe një nder, një privilegj të mund të flisja me ju.

Përgjigje: Faleminderit juve!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco