Lajmi i fundit

LIVE/ Punimet e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë

VIDEO-SYRI TV/ Luftar Reçi shkakton 'stuhi' në Gjykatë, Shullazi: Që nga arrestimi kërkova ballafaqim

17:28, 06/03/2023
A+ Aa A-

Luftar Rreçi i drejtohet me letër Gjykatës, duke sqaruar se ballafaqimi i tij me Emiljano Shullazin dhe grupin të akuzuar për 3 vrasje në 2005, është si vajtja e qengjit në tufën e ujqërve. Me këtë argument, ai shmangu edhe njëherë ballafaqimin me personat që çoi në burg me dëshminë e tij. Kjo krijoi debate dhe akuza të forta në sallën e Gjykatës së Posaçme mes të pandehurve, trupës gjykuese dhe përfaqësuesit të Prokuriorisë.

Nga SYRI TV

‘Nëse shoqërohem për t’u vënë përballë tyre në gjykatë, do të jem si qengji mes ujqërve’.

Kjo është një pjesë e letrës së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi nisur nga burgu i Drenovës, Gjykatës së Posaçme. Ai do duhej të përballej me Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin, Endrit Taullaun dhe Indrit Rusin për vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames e Artan Arsit në vitin 2005.

‘Nuk kam më fuqi fizike dhe shëndetësore të paraqitem në Gjykatë. E kam bërë shumë herë dhe të paktën në 5 raste, seancat e ballafaqimit kanë dështuar jo për fajin tim. Jam gati të dëshmoj me skype, le të jenë të pranishëm avokatët dhe 2 ose 3 gazetarë’, shkruan Luftar Reçi në një letër të dërguar gjykatës.

Prokurorja Elida Kaçkini përmendi rrezikun e shoqërimit të Reçit në Gjykatë, por nuk specifikoi nëse kishte të bënte me gjendjen shëndetësore, apo sigurinë fizike. Kjo nxiti reagimin e fortë dhe me akuza të avokatëve dhe të të pandehurve që qëndronin në kafazin prej qelqi.

‘Ballafaqimi me skype, është inskenim mes Prokurorisë dhe bashkëpunëtorit. Janë dakorduar paraprakisht. Është e qartë, Luftar Reçi nuk është i aftë të japë deklarime të njëjta me ato që ka dhënë më herët, nuk i mban mend dhe prokuroria i ndruhet kësaj gjëje. Ndoshta doni ti lini ndonjë oficer pas kameras që ta orientojë ç’të thotë. Flisni për rrezik, a ka shtet e institucione që e sigurojnë, ose dilni pranoni që shteti ka rënë, s’ka fuqi të të mbrojë’, është shprehur Ilia Ilia, avokat i Plarent Dervishit.

Vetë Emiljano Shullazi, tregoi pse ishte e rëndësishme prezenca e Luftar Reçit në sallën e gjyqit, ndërsa nuk kurseu as prokuroren që përfaqëson akuzën.

 ‘Që kur jam arrestuar, kam kërkuar ballafaqim me Luftar Reçin. Përgjigja ka qenë ‘do ballafaqoheni në gjykatë’. Ja ku jemi, qëndrojmë përballë jush dhe bashkëpunëtori nuk është. Dua ta shikoj në sy kur të flasi për ngjarjen. Ju prokurore se di nëse e njihni dosjen, sepse as nuk jeni ju që keni firmosur arrestimin tim, as nuk i keni nisur ju hetimet’, ka thënë Emiljano Shullazi, në gjykatën speciale.

Gjykata vendosi që më 20 mars në orën 09:30, të bëhet shoqërimi i detyrueshëm i Luftar Reçit në Gjykatë, si dhe thirrjen e 10 dëshmitarëve, teksa këtë të martë u regjistrua dështimi i tetë radhazi i ballafaqimit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco