‘Kam 20 vjet në këtë punë, kurrë më parë… ’/ Zbardhet dëshmia e shoferit të autobusit që shkaktoi aksidentin e rëndë në Tiranë

‘Kam 20 vjet në këtë punë, kurrë më parë… ’/ Zbardhet dëshmia e shoferit të autobusit që shkaktoi aksidentin e rëndë në Tiranë

09:14, 01/03/2023
A+ Aa A-

Agron Xhafa është 63-vjeçari që gjendej në drejtimin e autobusit urban të linjës së “Unazës” që përplasi ditën e hënë në mesditë 11 automjete të ndaluara në semafor.

Në kushtet e tronditjes së rëndë, por edhe për shkak të dëmtimeve që ka marrë nga ajo përplasje që për fatin e madh nuk rezultoi fatale, 63- vjeçari është dërguar në spital për mjekim, por edhe për të kryer verifikimin e pretendimeve të tij mbi gjendjen e habitshme të atij momenti.

Atij iu vunë pranga rreth 12 orë pas aksidentit në spital dhe u vu nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ndonëse Policia e Tiranës e njoftoi vetëm ditën e djeshme arrestimin e tij, ai pritet të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë në lidhje me ngjarjen. Por, burri që drejtonte prej më shumë se dy dekadash automjete ka treguar edhe për policinë se ai nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore që në mëngjes, por i është dashur të dalë në punë.

Policia Rrugore dhe ajo bashkiake për gjatë gjithë pasditen e së hënës tentuan ta kalojnë përgjegjësinë tek një automjet tip “Audi” që gjendej në anësoren e urbanit, mjet më të cilin edhe u përplas fillimisht autobusi ku më pas humbi edhe kontrollin duke hyrë në turmën e makinave dhe duke u përplasur me to. Për fatin e udhëtarëve që prisnin në stacion, autobusi ka prerë në të majtë duke hyrë ne grumbullin e makinave që gjendeshin në semafor, e për pasojë duke i marrë zvarrë të gjithë, por pa dëmtime serioze të paktën në njerëz. Policia dhe prokuroria ende nuk kanë në duar as ndonjë ekspertim shëndetësor të drejtuesit të autobusit dhe as raportin auto-teknik, edhe pse thuhet se mjeti është kolauduar pak kohë më parë. Ka dyshime që edhe mund të mos ketë punuar sistemi i frenimit, ndonëse nga pamjet e shumta filmike duket se drejtuesi i automjetit nuk bën asnjë manovër për ta ndaluar autobusin meqë i duhej të hynte në stacion.

Hetimet dhe arrestimi

“Kam mbi 20 vjet drejtues autobusi. Asnjëherë nuk më ka ndodhur një situatë e tillë në timon. Nuk jam ndjerë mirë që në mëngjes”! Ky është rrëfimi i Agron Xhafës, shoferit 63-vjeçar të autobusit të Unazës, që të hënën u përplas me 10 automjete të tjera te kryqëzimi i Shallvareve në Tiranë, duke lënë të lënduar lehtë 10 persona. Në momentet e para pas aksidentit, shoferi i autobusit nuk ka qenë i ndërgjegjshëm. Punonjësve të policisë që mbërritën në vendngjarje, sipas të dhënave ai ka vonuar edhe tu tregojë emrin. Shoferi Agron Xhafa përfundoi edhe vetë në spital, aty ku hetuesve mësohet se u tha se vuante nga zemra dhe diabeti. Megjithatë, kartela mjekësore e 63- vjeçarit është sekuestruar dhe pritet që shoferi të bëjë edhe një herë nga e para të gjitha analizat, për parë nëse diabeti qëndron, dhe në cilën fazë është, dhe nëse ka apo jo sëmundje të tjera nga të cilat mund të vuajë.

Burime nga policia bëjnë me dije se shoferi ishte i pajisur me të gjitha dokumentacionet e nevojshme për drejtimin e mjetit. Edhe autobusit, rezulton t’i jetë bërë kontrolli teknik pak muaj më parë, duke e cilësuar brenda të gjitha parametrave, por tashmë ka nisur ekspertimi autoteknik për të parë ndonjë anomali të mundshme. Në pyetje u morën 40 pasagjerë që ndodheshin në autobus dhe një pjesë e tyre mohuan që shoferi të ketë pasur probleme shëndetësore ose nuk e kanë vënë re. Shkaku i aksidentit pritet të qartësohet nga ekspertiza, por referuar pamjeve filmike, blutë kanë bindjen se shoferi ka lëvizur në mënyrë të pakontrolluar autobusin, i cili del jashtë korsisë së tij dhe rrit shpejtësinë, çka çoi në gjithë këtë ngjarje. Përplasja mund të kishte rezultuar fatale për këtë vajzë, nëse nuk do të ishte kjo pemë për të ndalur makinën “Porche” që autobusi mori para.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco