SYRI TV/ Arrestimi i Shkëmbit, në momentin e ndalimit bëri rezistencë

09:41, 25/02/2023
A+ Aa A-

Dritan Shkëmbi, i arrestuar në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, po mbahej nën vëzhgim nga autoritetet prej 2 javësh. Megjithatë, tashmë pritet të shihet se si do të kryhet ekstradimi i Dritan Shëkmbit në Shqipëri, pasi vendi ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emirate Arabe

SYRI TV

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas arrestimit në Emiratet e Bashkuara Arabe të të shumëkërkuarit Dritan Shkëmbi.

Burime për Syri TV kanë bërë me dije se Shkëmbi po mbahej nën vëzhgim nga autoritetet vendase, pasi prej 1 muaji autoritetet shqiptare kishin informacion se ai ndodhej jashtë territorit shqiptar.

Në momentin, që Shkëmbi është ndaluar, ka bërë rezistencë, ndërsa nuk ka pasur mjet identifikimi me vete.

Teksa e kanë shoqëruar për verifikim, ka rezultuar se 39-vjeçari identifikohej me 2 emra, Amar dhe Dritan Shkëmbi, më pas ka qenë marrja e shenjave të gishtave, e cila ka zbuluar se 39-vjeçari ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL TIRANA.  Kjo u vërtetua edhe pas krahasimit me të dhënat që policia e shtetit shqiptar kishte dërguar më herë në lidhje me Dritan Shkëmbin.

Ky i fundit akuzohet për grup të strukturuar kriminal lidhur me atentatin ndaj Arjan Ndojit, ku mbeti i vrarë një person, në 1 nëntor të 2019.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar më herët Redjan Rraja më 5 nëntor të vitit 2019 dhe Arjol Halilaj më 5 maj të vitit 2020. Ndërsa në 20 janar të këtij viti në pranga ranë edhe  Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri e Bashkim Haxhija. Vendimi për ekstradimin e Dritan Shkëmbit drejt Shqipërisë është në dorë të organeve ligjzbatuese arabe, të cilat do të duhet të interpretojnë disa konventa ndërkombëtare për këtë rast. Pas arrestimit të Shkëmbit, tashmë në kërkim për ngjarjen janë tre persona, Plarent Dervishaj, Julian Meçaj dhe Ramazan Rraja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco