Tre mijë euro për një leje ndërtimi/ SPAK arreston zyrtarët e Dimalit

Tre mijë euro për një leje ndërtimi/ SPAK arreston zyrtarët e Dimalit

11:05, 15/02/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) godet një tjetër rast të dyshuar për korrupsion të funksionarëve publikë.

Kështu, katër zyrtarë të Bashkisë së Dimalit dhe dy punonjës të një firme private janë arrestuar për shpërdorim detyre dhe për korrupsion ditën e djeshme. Të arrestuarit janë drejtori i Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Dimal, ish-shefi i Transportit në këtë bashki aktualisht drejtues te emergjencat, një ishshefe e Urbanistikës dhe ishdrejtues i IKMT-së në këtë institucion.

Sipas SPAK-ut, të gjithë janë lënë në burg, përveç ish shefes së Urbanistikës, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie”. Shkak i arrestimeve janë bërë abuzimet me lejet e ndërtimit ndërkohë mësohet se zyrtarët e bashkisë Dimal jepnin leje ndërtimi kundrejt ryshfetit dhe më pas imponohej një kompani ndërtimi me qëllim që ndërtimi në terren nga qytetarët të bëhej pikërisht nga kompania e preferuar e zyrtarëve të bashkisë. Për çdo leje ndërtimi, sipas dyshimeve të hetimit ata u merrnin qytetarëve nga 2500 euro deri në 3000 euro.

Denoncimi

Referuar të dhënave që pasuan arrestimin e zyrtarëve lokalë të Dimalit mësohet se janë provuar një sërë episodesh ku të arrestuarit ishin të përfshirë. Një prej rasteve është kallëzimi një qytetari, që sipas SPAK-ut ka inicialet P.B. Në kallëzim qytetari akuzon punonjësit e Bashkisë së Dimalit se i kanë dëmtuar biznesin e ngritur në një pronë publike të cilën ai e posedonte që prej fillimit të viteve ’90 me justifikimin se do të ndërtohej lulishte, por sipas tij pas prishjes prona i është kaluar nja qytetari tjetër. Më tej në kallëzim thuhet se në atë vend ka nisur të ndërtohet një objekt që sipas kallëzuesit është po ashtu privat dhe jo lulishtja që ishte njoftuar. Punimet për lulishte nga ana e Bashkisë nuk kanë pasur si qëllim zgjerimin e hapësirave publike, por të favorizonin personin tjetër me të cilin kallëzuesi pranon se ka pasur një konflikt pronësie.

Personat e arrestuar

Altin Pali (Arrest me burg), drejtor i Urbanistikës! I akuzuar për “Shpërdorim detyre”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

Vali Jançe (Arrest shtëpie), shefe e Urbanistikës në kohën e kryerjes së veprës penale. E akuzuar për “Shpërdorim detyre”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Agim Çuni (Arrest me burg), aktualisht specialist tek Emergjencat, ish-shefi i IKMTsë në kohën e kryerjes së veprës penale! Akuzohet për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arben Guraj (Arrest me burg), përgjegjës i Sektorit të Shërbimeve. I akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

A. D (Arrest në burg), inxhinier pranë një shoqërie tregtare! I dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

V.K (Arrest në burg) ekonomist, menaxher i një shoqërie tregtare. I akuzuar për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco