VIDEO-SYRI TV/ Ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt, Alda Klosit i sekuestrohen pronat

11:42, 12/02/2023
A+ Aa A-

Pas arrestimit ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt, Alda Klosi tashmë do të përballet dhe me sekuestrimin e pasurisë. Sipas burimeve Klosit, e cila u arrestua me 3 shkurt i janë sekuestruar një apartament dhe një garazh.

Arrestimi i saj erdhi pas zbulimit të një shume marramendëse në apartamentin e Rozeta Dobit, e cila ishte akuzuar për vjedhje nga ana e Klosit, ku kishte punuar si pastruese. Por ish-zyrtarja deklaroi një shumë parash shumë herë më të vogël se sa ajo që u gjet në shtëpinë e pastrueses, e cila më 3 shkurt deklaroi se kishte bashkëpunuar me Klosin dhe se paratë ia kishte dhënë vetë ajo për t’ia ruajtur pasi kishte konflikte me ish-bashkëshortin.

Zyrtarisht sipas Policisë së Tiranës Alda Klosi është e dyshuar për veprat penale; ‘Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore’.

Në dosjen e akuzës thuhet se Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale ‘Vjedhja’ e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe ‘Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi.

Procedim penal i mësipërm është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e ‘Kosovarëve’, është vjedhur banesa e shtetases Alda Klosi. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit Rozeta Dobi dhe Havier Dobi, ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendos masën e sigurimit ‘Arrest në burg’.

Në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim’, ‘Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ dhe Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore’ parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases Alda Klosi, e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale.

Me urdhrin e datës 3 shkurt 2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases Alda Klosi, e dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim’, ‘Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore’ parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal.

Sipas prokurorisë, hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco