Atentati i vitit 2019/ SPAK goditi sërish me ndihmën e Nuredin Dumanit

Atentati i vitit 2019/ SPAK goditi sërish me ndihmën e Nuredin Dumanit

10:35, 21/01/2023
A+ Aa A-

Të premten e 20 janarit, SPAK dhe Policia e Shtetit bënë me dije detajet e një superoperacioni të ndërmarrë në harkun kohor të 24 orëve të shkuara.

Ata treguan se kishin lëshuar urdhër-arrest për një tjetër organizatë të fuqishme kriminale, emrat e përbërësve të saj nuk janë asnjë të panjohur jo vetëm për policinë e prokuroritë e vendit, por madje as për mbarë opinionin publik.

Duke u vënë në fokus hetimi për zbardhjen e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ndodhur 3 vite më parë, SPAK pretendon se ka mundur të sigurojë dëshmi, fakte dhe prova për të goditur një nga grupet më të fuqishme në Shqipëri. Në krye të këtij grupi sipas SPAK është Plarent Dervishi, i skeduar prej më shumë se dy dekadash dhe një nga njerëzit më aktiv sipas policisë, shkruan Panorama.

Ajo që është evidentuar në atentatin ndaj prokurorit dhe një personi tjetër të rëndësishëm të botës së krimit, lidhet me një tjetër atentat pararendës, në të cilin shënjestra ishte pikërisht Plarent Dervishi, me të cilin ishin edhe dy shokë të tij, të dy pjesë e dosjes më të re që ka ndërmarrë më së fundmi SPAK. Për këtë fakt janë lëshuar 9 urdhër-arreste, prej të cilëve policia ka mundur të ekzekutoje vetëm 5, ndërkohë që katër të tjerët nuk janë gjendur në shtëpi, prej tyre edhe nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Prokuroria e Posaçme me anë të një njoftimi bën me dije se ka hedhur dritë mbi aktivitetin e këtij grupi të fuqishëm kriminal, duke zbardhur të gjithë mekanizmin dhe rolet e së cilit, por pa dëshmuar zyrtarisht se cili është shkaku i përplasjes mes dy grupeve, ku dëshmohet se në njërën anë është Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi” dhe në anën tjetër Plarent Dervishi me skuadrën e tij.

5 persona u arrestuan dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim nga SPAK, pjesa më e madhe e tyre anëtarë të bandës së Durrësit, të dyshuar në përfshirjen dhe organizimin e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos dhe shoferit që nuk mbijetoi, Andi Maloku, në 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit.

Në një operacion të gjerë policor të koduar “Komploti” u arrestuan Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, 40 vjeç, i cili i ka shpëtuar një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, Marsel Deçka, 38 vjeç, agjent doganor (i afërm i Plarent Dervishaj), Endrit Sinani, 29 vjeç, Julian Pjetri, 45 vjeç dhe Bashkim Haxhija, 54 vjeç. SPAK shpalli në kërkim atë që e konsideron organizator të komplotit, Plarent Dervishaj.

Ish-kunati i ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berishës, ndodhet në Dubai, aty ku u arrestua rreth 1 vit më parë si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lames ne 2005-n, por u la i lirë në mungesë të një marrëveshje ekstradimi. Më 20 qershor 2019, Plarent Dervishaj i shpëtoi breshërisë së plumbave që u lëshuan ndaj makinës së tij, ku ndodhej bashkë me Bashkim Haxhijan, i arrestuar këtë të premten në operacionin Komploti dhe me Julian Meçen në kërkim.

I dyshuar për përfshirjen në atentatin ndaj prokurorit, është edhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. Të enjten SPAK dhe BKH bastisën shtëpinë e Ramazan Rrajës në Nikël të Fushë-Krujës, por pa rezultat. Në kërkim për operacionin “Komploti” është edhe një person i katërt, të cilit Policia i ka publikuar vetëm inicialet, A.SH, që njihet me pseudonimin “Badi”, mik i Plarent Dervishaj.

Burime nga SPAK thanë se ka dyshime që të dy të jenë në Dubai.

Por, si u arrit te gjurmët e organizatorëve dhe bashkëpunëtorëve në atentatin të 3 viteve më parë, atentat që bëri jo pak bujë në vend? Burime bëjnë me dije se indicet për këtë grup i ka dhënë fillimisht Nuredin Dumani, por ka dy bashkëpunëtorë të tjerë të drejtësisë që kanë folur, duke dhënë detaje dhe prova të përfshirjes së këtyre personave në tentativën për të vrarë prokurorin Arjan Ndoja, që në atë kohë ishte në makinë me shoferin, Andi Maloku fatkeqin e këtij atentati, dhe Aleksandër Lahon, të njohur si “Rrumi” i Shijakut, një person me precedentë penalë. Pas kësaj dëshmie kyçe të dëshmitarëve të drejtësisë që autoritetet i ruajnë duke mos i nxjerrë emrat, operacioni policor me përfshirje të forcave elitë RENEA u shtri në Tiranë, Durrës, Fushë-Krujë dhe u kontrolluan 11 banesa.

Gjatë bastisjeve, policia sekuestroi 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, 11 orë dore të markave të shtrenjta, të cilat do të analizohen në vijim nga hetuesit deri në detaje. Policia ka pasur dyshime se ky grup i strukturuar kriminal mund të kishte fshehur nën tokë sende të paligjshme ndaj bëri kontrolle edhe me detektorë metalesh.

Të gjithë akuzohen për 5 vepra penale, nga vrasje e funksionarëve publikë, mbetur në tentative, vrasje në rrethana të tjera cilësuese me pasojë vdekjen dhe e mbetur në tentativë, sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe vjedhje më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

4 ditë pas atentatit të nëntorit 2019, policia arrestoi në atë kohë Ariol Halilajn dhe Redjan Rrajën, të afër të deputetit socialist, me profesion mjek stomatolog i përfshirë edhe në rastin e Xhisiela Malokut, vajzës të lidhur me djalin e deputetit Rraja, Rexhepin, dhe që trazoi edhe ujërat e politikës pas dëshmive se ishte dhunuar prej tij. Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë vijon gjykimi për 2 të pandehurit Halilaj dhe Rraja dhe procesi është pothuajse drejt fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco