Tentativa e vrasjes në Mirditë/ Dy policë ishin në lokal kur ndodhi krimi

Tentativa e vrasjes në Mirditë/ Dy policë ishin në lokal kur ndodhi krimi

09:30, 02/07/2022
A+ Aa A-

Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Mirditë, ku u qëllua me armë 51-vjeçarin Martin Prenga në autostradën Rrëshen-Kukës. Në prangat e policisë ka rënë 21-vjeçari Florin Gjoka, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë vëllai i tij binjak Altin Gjoka 21 vjeç.

Policia thotë se autori i dyshuar Florin Gjoka tentoi të vriste me armë 51-vjeçarin Prenga pas një sherri me të. Nga të shtënat, Martin Prenga mbeti i plagosur në këmbë dhe u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa pas ngjarjes, autori i dyshuar u ndihmua nga vëllai i tij për t’u larguar nga vendngjarja dhe për t’u fshehur.

Autorët kanë qenë me motor dhe sapo janë afruar kanë qëlluar në drejtim të objektivit të tyre, Marin Prengës, i cili ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit.

Në momentin e ngjarjes, në lokal kanë qenë dy oficerë policie, të cilët kanë dalë nga lokali dhe kanë nxjerrë armët duke trembur autorët, të cilët janë larguar me shpejtësi.

Marin Prenga dhe dy autorët ishin banorë në të njëjtin fshat dhe kishin patur konflikte mes tyre. Burime bëjnë me dije se i plagosuri, Martin Prenga, është një person me precedent të mëparshëm penal dhe i dënuar më parë.

NJOFTIMI ZYRTAR

Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Fan, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi M. P. Arrestohet autori i dyshuar i plagosjes, procedohet në gjendje të lirë vëllai i tij, i cili e ndihmoi të largohej nga vendi i ngjarjes.Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur për plagosjen. 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë, falë veprimeve të shpejta e profesionale hetimore, duke administruar çdo provë në vendin e ngjarjes dhe pamje filmike, si dhe duke shoqëruar e pyetur disa shtetas, në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e kaluar në Fan, Mirditë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi M. P., 51 vjeç, banues në Mirditë.

Në përfundim të veprimeve procedurale është arrestuar shtetasi F. Gj., 21 vjeç, banues në Mirditë, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë vëllai i tij, shtetasi A. Gj., 21 vjeç, banues në Mirditë.  

Në autostradën Rrëshen-Kukës, në Fan, Mirditë, shtetasi F. Gj. ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin M. P., i cili si pasojë ka marrë plagë në këmbë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. 

Pas ngjarjes, shtetasi A. Gj. e ka ndihmuar vëllanë e tij, shtetasin F. Gj. që të largohet nga vendi i ngjarjes dhe të fshihet.

Vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e të gjithë personave të përfshirë në këtë konflikt, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur nga autori. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit", në ngarkim të shtetasit F. Gj., dhe "Përkrahja e autorit të krimit", në ngarkim të shtetasit A. Gj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco