Prodhuesi: "Miliona lekë dëme, katastrofë.Më falimentuan." Banorët e fshatit: "Tani nuk kemi më pikë ujë, as për të vaditur e as për të pirë bagëtitë".
Nga SYRI TV.
Hamza Qevani është një fermer nga fshati Vodëz në bashkinë Kuçovë, që prej më shumë se 5-vjetësh kultivon peshk në rezervuarin e e fshatit Belesovë. Hamzai ka lidhur një kontratë me basenin e Fierit dhe të Korçës, të cilave u jep detyrimet e përvitshme të përcaktuara me ligj.
Hamzai tregon se ka investuar më shumë se 10 milion lekë për të blerë rasatë peshku që e kishte kultivuar në këtë rezervat por pikërisht në momentet kur peshku do të bëhej gati për treg ndodhi edhe katastrofa.
Bashkia e Kuçovës hapi portat e rezervuarit, i gjithë uji u derdh në lumë dhe brenda tre ditëve i gjithë rezervuari u boshatis, kështu që i gjithë peshku e investimi i tij shkoi dëm.
Po kështu, komplet gjallesat ngordhën duke i shkaktuar fermerit Hamza Qevani një humbje kolosale.
Vetë Hamzai shprehet se,për këtë dëm kolosal ai do ti drejtohet institucioneve ligjore.
"Hapja e portave të rezervuarit është bërë nga keqmenaxhimi i punonjësve të bashkisë Kuçovë.Unë kam kontaktuar me Drejtorinë e Shërbimit në këtë bashki, të cilët duhet ta hapnin dhe derdhnin ujin e rezervuarit brenda kuatave të përcaktuara, ndërsa siç e shihni ky rezervuar është kthyer në një vend të shkretë, pa ujë e pa gjallesa.
Kam shpenzuar shumë para këtu dhe u fundosa nga ky veprim të papërgjegjshëm i bashkisë Kuçovë.
Kërkoj të më dëmshpërblejnë për këtë humbje që më shkaktuan pasi kam shpenzuar gjithshka kam patur,madje kam marrë edhe kredi për blerje e rasatit të peshkut dhe për të mbuluar shërbimet e rritjes së tij,punëtorët e rojet.Tashmë jam i zhytur në borxhe deri në grykë, kjo është katastrofë", ka thënë fermeri i dëmtuar Hamza Qevani.
Zbrazja e rezervuarit të fshatit Belesovë ka sjellë probleme dhe për të gjithë banorët e fshatrave Belesovë, Pëllumbas e Mendrakë.
Banorët shprehen se uji i rezervuarit shërbente për blegtorinë dhe për vaditje.Banorët pohojnë të shqetësuar se zbrazja e rezervuarit i ka shkaktuar atyre shumë probleme pasi për të siguruar ujë për bagëtinë tashmë atyre u duhet të udhëtojnë me orë të tëra në fshatrat përreth.
"Kjo është katastrofë,ne po thahemi për pikën e ujit, kështu do të na ngordhin edhe bagëtitë",shprehen banorët.

© SYRI.net