2 persona nën hetim/ Si u helmuan nxënësit nga rrjedhja e gazit

2 persona nën hetim/ Si u helmuan nxënësit nga rrjedhja e gazit

10:29, 21/01/2021
A+ Aa A-

Drejtori i shkollës 9-vjeçare në Tiranë ku një ditë më parë pati rrjedhje gazi dhe një inxhinier janë referuar në prokurori për veprat penale shpërdorim detyre dhe shkelje e rregullave për lëndët djegëse plasëse dhe radioaktive. Sipas policisë ata kanë vënë në funksionim sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit B. S., 34 vjeç dhe E. D., 36 vjeç, pasi në rrugën “Don Bosko”, në ambientet e një shkolle jopublike, këta shtetas kanë vënë në funksionim sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial dhe si rrjedhojë e rrjedhjes së gazit nga depozita e gazit të sistemin të ngrohjes, 6 nxënës të kësaj shkolle kanë patur probleme shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Si ndodhi ngjarja

Rrjedhja e gazit të lëngshëm propan buran dyshohet të ketë ndodhur në katin e parë të godinës, ndërsa era e tij është ndjerë për disa orë edhe jashtë ambienteve të kolegjit dhe në rrugë. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se depozitat e gazit në shkollën private në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, janë instaluar në muajin dhjetor nga vetë përgjegjësit e shkollës. Nga ekspertiza paraprake rezultoi se rrjedhja ka ndodhur në një prej depozitave, pasi ishte e tejmbushur.

Policia e Tiranës njoftoi dje se ishte bërë menjëherë evakuimi i të gjithë nxënëseve në shkollë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:30, ndërsa 6 nxënësit janë dërguar në spital, por nuk kanë probleme serioze dhe rrezik për jetën.

Disa prej nxënëseve të shkollës kanë thënë se fillimisht është ndier pak erë dhe u është thënë të hapnin dritaret dhe t’i mbanin hapur, por më pas era është shtuar dhe mësuesit i kanë thënë të dalin jashtë për kafe. “Kur po dilnim jashtë, pamë një që villte, një tjetër që i kishte rënë të fikët”, thonë nxënëset.

Sasia e gazit të lëshuar ka qenë e madhe dhe ka shkaktuar probleme në frymëmarrje te disa prej vajzave. Aroma ndihej edhe në rrugë dhe  në ambientet e jashtme. Në Polici janë shoqëruar disa persona për informacione të mëtejshme. Gjithashtu mësohet se nga hetimet paraprake është përjashtuar mundësia për rrjetin e amortizuar. Tre pacientë të moshës 12-14 vjeç të intoksikuar janë paraqitur me ambulancë pranë Urgjencës Pediatrike. Mjeku toksikolog ka kryer konsultën mjekësore dhe ka konstatuar se janë koshiente, paraqesin simptoma të lehta të intoksikacionit, si dhimbje koke, të përziera dhe pak ansioze. Pacientët janë me parametra stabël, jashtë rrezikut për jetën dhe janë shtruar në pavijon për monitorim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco