Kunati i vrau vajzën/ Drama e nënës, djali iu vetëvar në burg disa muaj më parë

Kunati i vrau vajzën/ Drama e nënës, djali iu vetëvar në burg disa muaj më parë

16:17, 18/09/2020

Pak ditë pas krimit të rëndë në Bathore, kur Agron Tanushi vrau me armë zjarri ish-kunatën e tij, detaje të reja mësohen për ngjarjen. I rëndë është fakti se krimi ka ndodhur në sytë e vajzës së Jetmirës, 8-vjeçares, por edhe drama e nënës së saj bëhet më e madhe.

Mes lotësh, nëna e viktimës, thotë në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24 se shteti është përgjegjës, pasi kjo nuk është vdekja e parë në familjen e saj. Pak kohë më parë në burg i është vetëvarur edhe djali (Bilbil Hasani), pra vëllai i Jetmirës.

Nëna rrëfen se vajza e saj ka vuajtur shumë nga ajo familje dhe se ata kanë dashur ta vrasin disa herë.

Familja e të ndjerës tregon se kjo ngjarje është paralajmëruar para se të ndodhte krimi është thirrur policia, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe është larguar përsëri.

E ndjera ka dashur të largohet nga banesa njëherë e përgjithmonë, por sapo ka dalë nga banesa për në oborr, gjeti vdekjen e menjëhershme. Ajo që familjarët vuajnë më shumë është neglizhenca e shtetit dhe fëmija 8-vjeç që ka parë gjithë krimin me sy.

“Unë jam një nënë fatkeqe që shteti më ka vrarë disa herë, djali vrau veten për faj të shtetit, vajza u vra për faj të shtetit. Nuk kam asgjë për të thënë veç presë kafshimin e radhës nga shteti. Dy vdekje brenda vitit, vajza kishte disa urdhër mbrojtje, jeta e saj ka qenë e zezë që nga moment që hyri nuse në atë derë. Që nga ajo ditë ajo hyri në varr, ajo nuk kishte të hante e as ujë e as energji elektrike, ja kishin prerë. Burri iku në Greqi e braktisi dhe e linte me 40 mijë lekë të vjetra të jetonte për tre muaj pasi të kthehej ai. Ajo shkonte te vjehrri të mbushte ujë dhe ai i thoshte e paguaj vet nuk ma paguan ti.

Nuk kam fjalë për dhimbjen që kam, Jetmira tani është rehatuar, është më mire aty ku është tani sesa aty ku ishte nuse. E martuam me shkuesi, por shkuesi nuk mendoi për keq por mendoi për mirë, askush nuk e dinte sesi do i shkonte jeta, ajo e pati jetën të zezë në atë familje, nuk hëngri njëherë e qetë, nuk i qeshi shpirti, vuante edhe për ujin dhe dritat, jetonte në errësirë pa drita. Shkoja dhe i çoja ujë me bidona pasi ajo nuk kishte ujë, e kanë dhunuar donin ta nxirrnin nga ajo shtëpi, katër vite luftuan ta nxirrnin, tani që ajo do dilte njëherë e përgjithmonë ata e vranë”,- u shpreh nëna.

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco