'E nisa me një cigare hashashi, më përdoren si prostitutë....'

'E nisa me një cigare hashashi, më përdoren si prostitutë....'

12:31, 14/07/2020
A+ Aa A-

Ajo është sot 17 vjeç, hashashin ka nisur ta konsumojë kur ishte vetëm 14, ndërsa rreth 1 vit më parë u njoh me disa djem që i dhanë të pinte kokainë dhe më pas e shfrytëzuan seksualisht, deri sa e përdorën si prostitutë.

Kjo është historia e vajzës së mitur nga Fushë Kruja, që ka tronditur mbarë opinionin publik.  6 keqbërësit, 4 prej të cilëve të arrestuar tashmë, i jepnin drogë kundrejt marrëdhënieve seksuale. Gazeta Mapo ka udhëtuar drejt banesës së vajzës që është abuzuar kështu sistematikisht.

Në një shtëpi 1-katëshe, pranë burgut të Fushë-Krujës, banon familja e 17-vjeçares. Prindërit i ka të ndarë, por historia e trishtë e të miturës i ka ribashkuar. Shtëpia ndodhet mes disa shkurreve, në oborr një zetor i vogël me të cilin kryefamiljari siguron të ardhurat pas daljes nga burgu, pak më tutje disa shirita policie, pasi banesës iu hodh një sasi tritoli, ndërsa një qen i vogël, duke se është i vetmi që nuk e kupton se çfarë ka ndodhur në këtë familje.

E rritur mes dhunës që babai ka ushtruar ndaj nënës, ajo nuk ka ndjekur dot as shkollën e mesme. Që në moshën 14-vjeçare i ati u largua nga banesa, pasi u arrestua për dhunë në familje.

Këtu nis dhe kalvari i vuajtjes së 17-vjeçares, fillimisht me përdorimin e drogës.

Image

“Hashashin e kam nisur që në moshën 14 vjeç, e kam provuar kështu kot si për fillim, ndërsa më pas u bëra e varur. Kur kisha ditëlindjen vjet, fillova edhe kokainën”, – thotë e mitura.

Duket se konfliktet në familje, zënkat me nënën janë bërë shkak që vajza të largohet nga banesa.

“Pata një konflikt me nënën dhe ika nga shtëpia. Vajta te një lokal dhe kërkova punë. Aty takova disa çuna që më thanë se ti nuk je për punë, por vetëm për seks. Më dhanë kokainë, fillova t’ju kërkoja atyre kokainë dhe më pas më thanë që nëse e do duhet të kryesh marrëdhënie seksuale me ne. Fillimisht ishte vetëm njëri, më pas edhe të tjerë”, – thotë mes lotësh e mitura.

Por të rinjtë nga Fushë Kruja dhe Nikla shkuan edhe më tej. Ata e morën vajzën dhe e çuan në Kamëz, ku i çonin kleintë më pas dhe ajo merrte vetëm dozën e kokainës.

“Në Kamëz tek një hotel vinin të panjohur, kryeja marrëdhënie seksuale me ta. Më kërcënuan dhe dhunuan. Dëgjova që donin të më çonin në Itali”, – thotë vajza.

Denoncimi i nënës se vajza nuk po gjendej, ka vendosur në alarm grupin që e abuzoi seksualisht dhe po e prostituonin. Ata e kthyen fillimisht në shtëpi vajzën, por e rimorën sërish pasi vajza shkoi vet.

Sërish ishin kofnliktet në familje dhe varësia ndaj drogës, që e detyruan të miturën të takohej me këta persona.

Babai i vajzës, teksa konsumon një cigare dhe birrë, shfaqet i përlotur.

“Edhe unë kam fajin tim. Duhet t’i kisha qëndruar më shumë pranë, por burgu  bëri të vetën. Kam gabuar dikur, qëllova disa shpulla gruan dhe kjo më denoncoi. Unë mund ta zgjidh edhe ndryshe, por nuk dua që ti lë fëmijët vetëm”, -thotë ai.

Edhe nëna rrëfen kalavarin e vuajtjeve.

“Nuk e kam patur në kontroll vajzën. Kam tentuar që ta rrah, por ajo më kthehej. Pinte drogë. Dikur më ka dhunuar burri dhe unë e denoncova. Jemi ndarë, por sot qendrojmë bashkë vetëm për hir të fëmijëve”, – tregon e ëma e 17-vjeçares.

Në lot janë edhe dy motrat e së miturës, të dyja të frikësuara dhe që përpiqen të qetësojnë njëra-tjetrën se asgjë e keqe nuk do të ndodhë.

Ai që e kupton më pak situatën është djali i vogël, i cili shpesh shpreh vazhdimisht habi në sytë e tij.

Teksa largohemi familja na përshëndet dhe ka vetëm një apel: Të na mbrojë shteti./Mapo.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco