KLGJ, plan ‘pa afat’ për të garantuar aksesin online në gjykata

KLGJ, plan ‘pa afat’ për të garantuar aksesin online në gjykata

15:05, 07/06/2020
A+ Aa A-

Transparenca është një ndër detyrimet kryesore për institucionet e ngritura në kuadër të reformës në drejtësi. Pas ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor në dhjetor 2018, aksesi më i mirë i publikut mbi funksionimin e sistemit gjyqësor ishte një ndër premtimet kyçe.

“Aktualisht, çdo gjykatë ka një faqe internet që do të mirëmbahet deri në momentin kur portali gjyqësor të bëhet funksional. Ndërkohë, kjo faqe mundëson akses dhe në faqet e veçanta të gjykatave. Në kuadër të procesit të zhvillimit të portalit të ri, këto faqe do të përmirësohen për të ofruar akses më të lehtë në informacion,” tha asokohe kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami.

Por një vit pas marrjes në administrim nga KLGJ, portali online gjykata.gov.al është i paarritshëm dhe nuk dihet ende se kur do të vihet në funksionim të plotë.

Deri një muaj më parë, faqja online e gjykatave ofronte informacion mbi çështjet civile dhe penale në gjykim nga secila gjykatë e vendit si dhe vendimet gjyqësore, të cilat më parë gjendeshin më së shumti online. Aktualisht, të vetmet informacione që gjenden në këtë portal janë kontaktet, programi i transparencës dhe emrat e gjyqtarëve.

Përjashtim bëjnë Gjykata e Lartë; Gjykata e Administrative e Apelit dhe e Shkallës së Parë Tiranë; Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilat kanë faqe interneti të veçanta.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i tha BIRN se e ka marrë portalin nën administrim në qershor 2019 dhe ka arritur të analizojë mangësitë, pa mundur t’u japë ende zgjidhje. Sipas KLGJ, problemet në aksesimin e faqes kanë ardhur si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes teknike, shumë kohë para konstituimit të Këshillit.

“…një grup pune i ngritur posaçërisht për studimin e problematikave të sistemeve të menaxhimit të çështjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Misionin Euralius V të Bashkimit Europian, ka analizuar dhe renditur sipas shkallës së emergjencës të gjithë mangësitë e sistemit, të cilat do të eliminohen hap pas hapi, me rifillimin e mirëmbajtjes teknike të sistemit,” tha KLGJ.

Këshilli nuk dha një datë të saktë për vënien në funksionim të portalit, por shtoi se ka hapur një procedurë prokurimi për mirëmbajtjen teknike të sistemit.

“Në lidhje me pyetjen se kur do jetë i aksesueshëm për publikun portali gjykata.gov.al, ju informojmë se në përputhje me parashikimet ligjore, në momentin e shpalljes së përfundimit të procedurës së prokurimit dhe nënshkrimit të kontratës përkatëse, kompania fituese, pasi të kontrollojë gjendjen aktuale të sistemit, do paraqesë afatet përkatëse për zgjidhjen e problematikave që aktualisht ka portali gjykata.gov.al,” tha KLGJ./BIRN/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco