Zbulohet sa million euro u shit dhe kush e bleu, televizionin ABC News

Zbulohet sa million euro u shit dhe kush e bleu, televizionin ABC News

10:10, 19/09/2019
A+ Aa A-

Kanali informativ ABC News u ble më 28 gusht 2019 nga kompania shqiptare A.B.C Management.

Pronare e vetme dhe administratore e kompanisë është nënshtetësja greke Efthymia Gkouma, e cila nuk ka asnjë veprimtari në Shqipëri dhe për të cilën nuk ka asnjë të dhënë publike.

Sipas kontratës së blerjes, dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Zonja Gkoma e ka blerë televizonin për 1,4 milionë euro, nga të cilat:

 – 600 mijë euro kanë shkuar për blerjen e kuotave të dy aksionerët, Aleksandër Frangaj dhe Alba Ginaj;

 – 240 mijë euro për blerjen e pajisjeve të televizionit,

 – 294 mijë euro qera për përdorimin e zyrave për dy vjet, dhe

 – 294 mijë euro për shlyerjen e borxheve të kompanisë.

Në këtë shumë nuk llogaritet pagesa nga ndarja e dividentit, e cila duhet t’i paguhet shitësve deri më dhjetor 2019.

Nëse blerësi, A.B.C. Management nuk i kryen pagesat brenda vitit 2019, kontrata bëhet e pavlefshme dhe blerësi do të duhet t’i paguajë 350 mijë euro dëmshpërblim aksionerëve të mëparshëm të ABC News.

A.B.C. Management 

Kompania A.B.C Management është një kompani e krijuar më datën 10 korrik 2019, vetëm pesë ditë para nënshkrimit të marrëveshjes paraprake të shitjes së televizionit, me qëllim blerjen dhe menaxhimin e televizionit. Që në themelim ajo është regjistruar me seli, pikërisht, në adresën e ABC News.

Kompania ka kapital themeltar 100 lekë (më pak se 1 euro) dhe është në pronësi 100 për qind të nështetases greke Efthimya Gkouma. Ky kapital me vlerë thuajse zero, natyrisht është i pamjaftueshëm për të kryer blerjen.

Ende nuk dihet se si do të bëhet pagesa për blerjen e televizionit, pasi që A.B.C Management të bëjë blerjen duhet të ketë kapital të paktën prej €1,4 milionë (kompania nuk ka asnjë të ardhur pasi nuk ka asnjë aktivitet) ose duhet t’i marrë hua këto para. Të gjitha këto veprime duhet të bëhen në mënyrë të rregullt bankare dhe duke paguar taksat që lidhen me të gjitha transaksionet.

Nuk dihet se cili është burimi i parave të pronares de jure të A.B.C Management, pasi për zonjën Gkouma nuk ka asnjë informacion publik.

Exit.al kontaktoi me të përmes adresës së emailit që ajo ka regjistruar në dokumentet e themelimit të kompanisë, por nuk mori përgjigje për pyetjet në lidhje me aktivitetin e saj në biznes, burimet e të ardhurave apo interesin për të hyrë në tregun mediatik shqiptar.

Exit.al kontaktoi gjithashtu edhe në kontaktet zyrtare të A.B.C Management përmes telefonit dhe email-it, por gjithashtu nuk mori asnjë përgjigje.

Nënshtetësja greke duket se është përdorur vetëm si fasadë për të mos nxjerrë përfituesin fundor të blerjes së ABC News.

Sidoqoftë, dokumentat publikë në lidhje me transaksionet tregojnë se pronarja greke është përfaqësuar me prokurë nga avokati Arbër Karaj, i cili është vëllai i drejtorit të Përgjithshëm të Spitalit Amerikan dhe kushëriri i parë i pronarit të spitalit amerikan Klodjan Allajbeu.

Po ashtu, nga burime pranë ABC News, Exit.al ka zbuluar se pronari i ri de facto i ABC News është sipërmarrësi në fushën e shëndetësisë Klodjan Allajbeu.

Exit.al ka mësuar se, në fakt Zoti Allajbeu është prezantuar tek drejtuesit kryesorë të ABC News si pronari i ri i televizionit dhe i ka prezantuar ata me Drejtorin e Përgjithshëm të emëruar prej tij, Idaver Sherifi, themeluesi i portalit Albeu.com, i cili ka shërbyer si anëtar bordi i Spitalit Amerikan nga themelimi deri në vitin 2008.

Kush është Klodjan Allajbeu

Klodjan Allajbeu është sipërmarrës kryesisht në fushën e shëndetësisë, i njohur si pronari i Spitalit Amerikan. Me blerjen e Spitalit Hygea rreth një vit më parë, Zoti Alljabeu ka siguruar një pozicion monopol në fushën e shërbimit spitalor privat duke patur nën kontoll mbi 85 përqind të këtij sektori.

Ndikimi i tij në tregun shëndetësor është akoma më i madh duke qenë se Allajbeu është përfituesi i dy kocnesioneve të rëndësishme shëndetësore, koncesionit të dializës dhe koncesionit të laboratorëve spitalorë.

Ndërkohë, Spitali Ameirkan dhe Spitali Hygea janë përfitues të mbi 70 për qind të të gjitha shërbimeve spitalore që qeveria kontrakton tek spitalet private, me anë të sistemit të paketave shëndetësore./exit.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco