Kanosja e kreut të IMT-së Durrës, reagon i akuzuari: Kërkon të shfajësojë veten, duan para për legalizimin

Kanosja e kreut të IMT-së Durrës, reagon i akuzuari: Kërkon të shfajësojë veten, duan para për legalizimin

22:57, 03/11/2018
A+ Aa A-

Bedri Dervishi ka reaguar pas lajmit për kanosjen e kryeinspektorit të IMT-së në Durrës Ardian Halili për shkak të detyrës.

Sa i përket kanosjes ndaj kryeinspektorit, Dervishi është shprehur se ai kërkon të shfajësojë veten e tij pasi ka përjashtuar shtëpinë e tij nga legalizimi pasi “duan para për ta legalizuar”.  Për “Fax News” ai ka thënë gjithashtu se gruaja dhe vajza e tij, për të cilat policia në njoftimin e saj bënte me dije se kishte filluar një procedim penal në gjendje të lirë, kanë shkuar në polici për të dhënë sqarime.

“Gruaja dhe vajza ime shkuan ne polici për të dhënë sqarime. Kryeinspektori kërkon të shfajësojë veten. Shtëpia ime nuk legalizohet se duan para nga ne. Kryeinspektori ka përjashtuar shtëpinë time nga legalizimi”, ka thënë Dervishi.

Kryeinspektori i IMT-së Ardian Halili kishte bërë kallëzim në polici për kanosje pasi ishte ndjerë i kërcënuar.

Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Bizë të Durrësit ku kryeinspektori pretendon se është kërcënuar nga 4 persona, përkatësisht Bedri Dervishi, Nexhmije dhe Anita Dervishi, si dhe Begator Gjoka.

Shkak për kanosjen është bërë një urdhër për prishjen e objektit, agjenci  ”Dervishi”, që ndodhet te Ura e Dajlanit në hyrje të Durrësit.

Kanosja erdhi pasi familjes Dervishi në pronësi të së cilës është objekti i është dërguar urdhri për prishjen e objektit, ndërtim pa leje. Objekti ishte në proces legalizimi po me kërkesë të Drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare është skualifikuar nga legalizimi, pasi cenon sigurinë hekurudhore.

Ardin Halili deklaroi se ai ishte kërcënuar në banesën e tij.

“Më erdhën në banesë dhe më kanosën”.

Ardian Halili u shpreh se  prishja e objektit është caktuar të bëhet ditën e martë.

“Prishja e objektit është për ditën e martë, por kisha dërguar njoftimin sipas ligjit. U ndjeva i kërcënuar prandaj dhe bëra kallëzim në Polici për personat në fjalë”, deklaroi ai.

Njoftimi i Policisë së Durrësit

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetaseve:

• N. D. 48 vjeçe, banuese në Durrës;

• A. D. 21 vjeçe, banuese në Durrës.

Shtetaset e mësipërme (ëmë e bijë), ditën e sotme në fshatin Fushë- Bizë, Ishëm, kanë  kanosur me fjalë për shkak të detyrës shtetasin A H. 48 vjeç,  banues në Durrës K/ Inspektor në IMT Durrës.

Veprimet hetimore po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe janë referuar materialet në prokurori për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës " parashikuar në nenin 238 të Kodit Penal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco