Kylian Mbape ka reaguar ashpër ndaj komenteve raciste të bëra nga senatorja paraguaiane, Celeste Amarilla, pas ndeshjes mes Francës dhe Paraguait në Botërorin 2026.
Politikania kishte fyer sulmuesin francez me një sërë komentesh ofenduese dhe raciste, duke e quajtur mes të tjerash “kamerunas i kolonizuar që shtiret si francez”, ndërsa e kritikoi edhe për faktin se nuk përshëndeti portierin e Paraguait, Orlando Gill, pas përfundimit të takimit.
Amarilla kishte deklaruar gjithashtu se Mbape “nuk mësoi kurrë as të shkruajë” dhe përdori shprehje të tjera me përmbajtje raciste, duke nxitur reagime të shumta në opinionin sportiv dhe publik.
Sulmuesi i Francës vendosi të mos heshtë dhe publikoi një reagim të fortë në rrjetin social X.
“Zonja Celeste Amarilla, ju jeni një grua e neveritshme dhe e padenjë për postin që mbani. Ju nuk përfaqësoni Paraguain, një vend që tregoi pasion dhe nder gjatë gjithë këtij Botërori. Për shkak të papërgjegjshmërisë suaj dhe racizmit që shfaqni hapur, e gjithë bota tashmë ka harruar rrugëtimin dhe përpjekjet historike të kombëtares suaj në këtë Kupë Bote, duke parë vetëm një politikane të paaftë që i jep vendit të saj imazhin më të keq të mundshëm. Nuk do të lejoj kurrë që njerëz si ju të kenë lirinë të përhapin urrejtje dhe racizëm në mbarë botën”, shkroi Mbape.
Deklarata e yllit francez ka marrë mbështetje të madhe në rrjetet sociale, ndërsa polemikat rreth komenteve të senatores paraguajane vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes.
© SYRI.net