Një incident i rëndë jashtë fushës ka shoqëruar ndeshjen mes Francës dhe Paraguait në Botërorin 2026, pas komenteve raciste të senatorës paraguajane, Celeste Amarilla, ndaj sulmuesit francez, Kylian Mbappé.
Debati nisi pas përfundimit të takimit, kur Mbappé nuk përshëndeti portierin paraguaian Orlando Gill, një veprim që u interpretua nga disa figura politike si mungesë respekti. Megjithatë, reagimi më i fortë erdhi nga senatorja 61-vjeçare Amarilla, e cila publikoi një postim të diskutueshëm në rrjetin social X.
“Ky idiot nuk ka mësuar as të shkruajë. Në vend që të pinte qumësht gjiri, ka pirë nga arrat e kokosit, dhe të vetmit ‘mësues’ që ka pasur ishin shimpanzetë. Duhej t’i kishe bërë një gjest fyes, Orlando Gill. Unë e bëj në Senat dhe nuk ndodh asgjë”, shkroi ajo, duke shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik.
Këto deklarata u cilësuan si fyese dhe me përmbajtje raciste ndaj kapitenit të Francës, në një moment kur tensionet pas ndeshjes ishin tashmë të larta.
Ky nuk është incidenti i vetëm që ka shoqëruar skuadrën e Paraguait në këtë Botëror. Ish-portieri legjendar, José Luis Chilavert, më herët kishte përshkruar përfaqësuesen e Francës si një “ekip nga Afrika”, ndërsa raportime të tjera kanë përmendur edhe fyerje të mundshme gjatë ndeshjes ndaj trajnerit Didier Deschamps.
© SYRI.net